Letër Falënderuese komunës së Prishtinës
27/12/2012Të nderuar përfaqësues/e të komunës së Prishtinës,
Tani jemi në fund të vitit 2012 dhe me anë të kësaj letre, duam të shprehim falënderimin tonë ndaj punës suaj të palodhshme, që keni bërë gjatë këtij viti dhe për të arriturat në fusha të ndryshme. Fillimisht duam t’ju falënderojmë për arritjet në fushën e arsimit, ku falë punës dhe përkushtimit tuaj është rritur dukshëm cilësia e nivelit të arsimit edhe nëpër fshatra, sikurse në kryeqytet. Po kështu, duam t’ju falënderojmë për atë që gjatë këtij viti keni arritur të zgjidhni problemin e mungesës së parkingjeve në kryeqytet.
Ju jemi shumë mirënjohës, që gjatë këtij viti keni arritur të miratoni një numër të madh të kërkesave të qytetarëve, të cilët kanë aplikuar për legalizimin e ndërtimeve të tyre pa leje, si dhe për miratimin e kërkesave të atyre qytetarëve, që kanë aplikuar paraprakisht për leje ndërtimi, me ç’rast nuk keni lejuar ndërtime të reja pa leje, si brenda kryeqytetit, ashtu edhe nëpër fshatra.
Gjithashtu, dëshirojmë t’ju falënderojmë, që gjatë këtij viti keni arritur dukshëm ta përmirësoni transportin publik për qytetarët e Prishtinës. Po gjatë këtij viti keni ndërtuar një numër të caktuar çerdhesh për fëmijët e kryeqytetit. Angazhimi i juaj i madh në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit tonë është për cdo lëvdatë, sepse keni arritur që të hiqni nga rendi i ditës pjesën më të madhe të problemeve me të cilat është ballafaquar qytetari ynë.
Ju falënderojmë për bashkëpunim të mirë me organizatat joqeveritare, si dhe me qytetarët e komunës të cilët i përfaqësoni. Në këtë dritë, gjithsesi e kemi parasysh edhe përgjigjen tuaj pozitive ndaj kërkesave nga OJQ-të dhe qytetarët, për qasje në dokumentet publike. Ju falënderojmë për të gjitha të arriturat e dukshme, madje në të gjitha fushat, sepse keni arritur që të gjitha premtimet tuaja t’i jetësoni, duke u treguar kështu se jeni në shërbim të plotë të qytetarit.
Angazhimin tuaj në të mirën e qytetarit e keni treguar në vepër dhe për këtë e meritoni një falënderim të veçantë. Edhe debatet tuaja cilësore, që sollët brenda seancave të asamblesë komunale, përfshirë edhe replikat e vazhdueshme, me ata që janë në anën e kundër të interesave të qytetarëve, kanë treguar qasjen tuaj të drejtë ndaj preokupimeve dhe problemeve të qytetarëve për t’i zgjidhur ato pa hezitim.
Prandaj, me anë të kësaj letre ju urojmë përzemërsisht festat e fundvitit. Ju jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj ndaj shoqërisë dhe qytetarëve, të cilët i përfaqësoni, duke shpresuar se vitin e ardhshëm do të jeni edhe më të përkushtuar ndaj zgjidhjes së problemeve të qytetarëve, gjithnjë duke promovuar politika më efikase lokale.
Sinqerisht,
Iniciativa për Progres – INPO