Letër e hapur për Aprovimin e Ligjit për Kryeqytetin
17/05/2012I nderuari Kryeministër, z. Hashim Thaqi ;
Me anë të kësaj letre të hapur Iniciativa për Progres – INPO shpreh shqetësimin e saj për mos miratimin ende të Ligjit për Kryeqytetin në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kanë kaluar katër vite që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, si dhe miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ku me këtë të fundit Prishtina është përcaktuar kryeqytet i Kosovës dhe fushëveprimtaria e të cilit do të duhej të rregullohej me një ligj të veçantë, të cilin Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta aprovoj deri me këtë ditë.
Neni 13 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se “Statusi dhe organizimi i kryeqytetit rregullohet me ligj”, ndërkaq neni 2.2 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale përcakton se “qyteti i Prishtinës, si kryeqytet i Republikës së Kosovës do të qeveriset përmes një ligji të ri për Qytetin e Prishtinës.”
Ju rikujtojmë se draft-ligji për Prishtinën është aprovuar nga Qeveria e Kosovës me 23 Prill 2009 dhe që nga ajo kohë ky draft ligj është kthyer disa herë prapa në pikën zero, asnjëherë duke mos arritur të aprovohet në Kuvend. Mos aprovimi i këtij ligji i kushton Komunës së Prishtinës mbi 10 – 13 milion euro në vit, para këto të cilat mund të përdoreshin shumë më mirë në realizimin e shumë projekteve kapitale apo për shërbime më të mira publike për qytetarët e kësaj komune.
Për më tutje, Ligji për Kryeqytetin i siguron komunës së Prishtinës edhe benifite të tjera si grantin qeveritar të veçantë për kryeqytetin, kompetenca për zhvillimin e zonës metropolitane, menaxhimin me objektet dhe terrenet sportive si dhe do të ndikonte në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë në komunë etj.
Shqetësuese mbetet neglizhenca dhe mosgatishmëria e Qeverisë së Kosovës në radhë të parë, e grupeve parlamentare dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për të ndërmarrë hapa konkret në shtyrjen përpara të kësaj çështje deri në miratimin e Ligjit për Kryeqytetin. Prishtina ka nevojë imediate për një ligj të tillë, në mënyrë që të ketë rregulluar statusin e saj ligjor dhe që të ushtroj në tërësi funksionet e saj si kryeqendër e Republikës së Kosovës. Prandaj, politizimi i këtij procesi shkon në dëm të komunës së Prishtinës, qytetarëve të saj, procesit të ndërtimit të mirëfilltë të institucioneve dhe funksionimit të demokracisë në vend.
Organizata Iniciativa për Progres bën thirrje Qeverisë së Kosovës, liderëve politikë dhe grupeve parlamentare që sa më parë të ndërmarrin veprimet e nevojshme që përfundimisht të aprovojnë Ligjin për Prishtinën në Kuvendin e Kosovës. Në të kundërtën, INPO do të fillojë një peticion me qytetarë për mbledhjen e numrit të duhur të nënshkrimeve në mënyrë që kjo çështje më rendësi për shtetin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës të dërgohet për diskutim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sinqerisht,
Avni Bytyçi,
Drejtor Ekzekutiv