Letër e Hapur drejtuar Kryetarit të Komunës së Ferizajt z.Muharrem Svarqa

14/08/2015

I nderuari z.Kryetar,

 

Ashtu sikur edhe jeni në dijeni, INPO përmes një konference për media ka bërë të ditur për opinionin publik se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj që t’i filloj hetimet lidhur me dyshimin e bazuar për falsifikimin e vendimit të Kuvendit të Komunës lidhur me revidimin e Planeve Rregulluese në zonën I dhe VIII. Së bashku me këtë kërkesë drejtuar PTH në Ferizaj, INPO publikisht ka kërkuar nga Ju që ta shkarkoni nga pozita  drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit z.Faik Grainca.

INPO ka përcjellur me kujdes deklarimet e Juaja në mediat e shkruara dhe vizive lidhur me reagimin dhe kërkesat tona për çështjen e procesit të revidimit dhe fillimisht ju jemi mirënjohës ndaj respektit që keni shfaqur për punën dhe përkushtimin e organizatës INPO. Mirëpo, ne vlerësojmë se është në mandatin  dhe përgjegjësinë tuaj institucionale që t’i mbani llogaridhënës zyrtarët tuaj të cilët i kanë tejkaluar kompentencat e tyre dhe kanë dështuar t’i përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë  në përputhje me funksionin të cilin e ushtrojnë.

Në këtë drejtim, problemet të cilat janë paraqitur që nga fillimi i procesit për revidimin e këtyre Planeve Rregulluese i atribuohen drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit z.Faik Grainca, i cili ka dështuar të sigurojë që ky proces të zhvillohet sipas rregullativave ligjore dhe praktikave demokratike dhe lë hapësirë që të ngriten dyshimet se ky proces i revidimit është ndërrmarrë për interesa të ngushta të individëve apo grupeve të caktuara dhe jo në interes të zhvillimit urban të qytetit.

Tutje, z.Grainca në vend se të përkushtohet në përmirësimin e gjendjes së krijuar për kontestueshmërinë e këtij procesi, ai shpif dhe ofendon zyrtarët e organizatës INPO duke i quajtur mercenarë, injorantë në shërbim të tutorëve dhe individëve të caktuar brenda dhe jashtë komunës.

 

I nderuari z.Kryetar,

 

Shpifjet dhe ofendimet e një drejtori të kabinetit tuaj qeverisës ndaj organizatës INPO janë veprime të ulta dhe qyqare të cilat nuk do të duhej t’i heshtni por të distancoheni publikisht dhe t’i dënoni ato, kështu duke ju bërë me dije të gjithë vartësve tuaj se puna,  përkushtimi dhe kontributi i INPO-s dhe organizatave të shoqërisë civile është i vlefshëm dhe i pamohueshëm në ndërtimin e institucioneve dhe shtetit demokratik të Republikës së Kosovës.

Andaj, përmes kësaj letre të hapur edhe një herë kërkojmë nga Ju, që menjëherë ta shkarkoni nga pozita drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit z.Faik Grainca, për shkak të dështimit të tij në kryerjen e obligimeve dhe detyrave ligjore në ofrimin e shërbimeve të mira dhe të ligjshme për qytetarët e Ferizajt dhe të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme në sigurimin e ligjshmërisë së procesit të revidimit duke zbatuar parimet e transparencës dhe subsidiaritetit.

Gjithashtu, vlerësojmë se persona të cilët njollosin dhe fyejnë punën dhe kontributin e shoqërisë civile nuk do të duhej të kenë vend në institucionin i cili promovon frymën demokratike të qeverisjes dhe bashkëpunimin e ngushtë me organizata të shoqërisë civile.

INPO shpreson se kërkesat e saj të bazuara në fakte dhe argumente do të gjejnë zbatim nga institucioni i Juaj,  i cili është i thirrur të mbrojë interesin e Komunës  dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, duke i mbajtur llogaridhënës të gjithë ata që shkelin parimet e qeverisjes së mirë dhe bien ndesh me ligjin.