Letër e Hapur drejtuar Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z.Muharrem Svarqa

26/11/2015

I nderuari z.Kryetar,

Gjatë kësaj jave, qytetarët Ferizajt dhe organizata INPO kanë mësuar se brenda një periudhe të shkurtë kohore, në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) do të ofrohen shërbime shëndetësore të trajtimit të syrit nga një spital ndërkombëtar, i specializuar në këtë fushë.

Në këtë drejtim, duket shpresëdhënës angazhimi i komunës së Ferizajt për të përmirësuar apo avancuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e saj dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete që ju mundëson qytetarëve apo pacienteve potencial përfitime nga këto shërbime.

Mirëpo, ky spital ndërkombëtar, siç kemi mësuar përmes medieve, do të ushtroj veprimtarinë e vet të pavarur private, në katin e parë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), pra në një objekt i cili është pronë e gjithë qytetarëve të komunës së Ferizajt, rrjedhimisht, i cili duhet të përdoret vetëm për interesa publike të qytetarëve.

I nderuari z.Kryetar,

Çështjet e dhënies në shfrytëzim apo me qira të pronës komunale, para se gjithash, duhet t’i paraprijë një proces i hapur dhe transparent nga ana e komunës, me qëllim që të sigurohet paanshmëria dhe menaxhimi efikas me pronën komunale. Mirëpo, mungesa e informatave nga ana e komunës lidhur me mënyrën e dhënies në shfrytëzim të kësaj hapësire të QKMF-së dhe mënyrës së funksionimit të këtij spitali ka shkaktuar huti dhe paqartësi tek qytetarët.

Andaj, kërkojmë nga Ju, që publikisht t’i njoftoni qytetarët e Ferizajt dhe organizatën INPO se në bazë të cilave ligje të aplikueshme në Republikën e Kosovës, i është dhënë me qira kjo hapësirë e QKMF-së këtij spitali privat, cilat procedura për dhënie me qira janë ndjekur nga Komuna e Ferizajt, në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë komuna me këtë spital dhe cili është interesi i komunës. Për më tepër, kërkojmë që të na informoni më detajisht se kush është ky spital dhe në cilat shtete të tjera ka ushtruar veprimtarinë e vet mjekësore.

Gjithashtu, kërkojmë nga institucioni i Juaj që të bëni publike kontratën e qiradhënies si dhe marrëveshjen e nënshkruar me përfaqësues të këtij spitali, në mënyrë që qytetarët e Ferizajt të kenë mundësinë e qasjes në këto marrëveshje përmes të cilave administrohet prona publike.