“Konkurs sa për sy e faqe”
01/02/2012Ferizaj, 1 shkurt 2012-INPO ka përcjellur me shumë kujdes shpalljen e konkursit dhe procesin e intervistimit për 28 vende të lira pune në KRM “Pastërtia”.
Profilet e të cilat kërkohen të plotësohen në këtë kompani janë që nga pastruesit e rrugevë, roja objektesh e deri te inkasantë të borgjeve.
Në KRM “Pastërtia” ky është konkursi i parë që organizohet ngase asnjeherë nuk është shpallur konkurs për punësim.
INPO shpreh dyshimet se ky konkurs është shpallur dhe organizuar vetëm formalisht, sepse shumica e aplikantëve për këto vende të lira të punës, tashmë janë në marëdhënie pune më KRM “Pastërtia” mirëpo pa kontrata valide të punës.
INPO ka monitoruar procesin e intervistimit të kandidateve dhe ka vërejtur parregullsi të ndryshme. E para, komisioni intervistues nuk ka qenë serioz dhe forma e intervistimit nuk ka qenë përmbajtësore, për të mos thënë sa për sy e faqe. Pothuajse asnjë pyetje nga ana e anëtarëve të komisionit nuk ka qenë direkt e lidhur me natyrën e punës të profileve të shpallura, biles ka pasur momente kur anëtarët e komisionit i kanë thënë të intervistuarit “ti veç i din këto pune sepse ke punu”, çka është një dëshmi e qartë për mos seriozitetin e këtij konkursi.
Gjithashtu, kemi vërejtur se shumica e aplikantëve i janë nënshtruar intervistimit me uniformë të punës, çka do të thotë se ata gjatë orarit të punës kanë ardhur që të intervistohen.
Për mendimin tonë, ky konkurs është vetëm një kamuflim i KRM “Pastërtia” sepse pozitat tashmë janë të plotësuara dhe përmes këtij konkursi ato vetëm do të legjitimohen.
Organizata INPO i bënë thirrje organeve komunale dhe KRM “Pastërtia” që të mos keqpërdorin institucionin e konkursit për të legjitimuar punëtorët e punësuar në mënyrë të parregulltë. Konkurset duhet të jenë një mundësi e barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim që të konkurrojnë për vende të punës e jo një mekanizëm manipulimi për punësime të paligjshme që bëhen në institucione publike.