Komunikatë për Media
12/03/2014Në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, Ushtruesi i Detyrës së Udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit në komunën e Ferizajt nuk mund të shërbej si zyrtarë përgjegjës i prokurimit dhe nuk mund të nënshkruaj asnjë kontratë në emër të komunës së Ferizajt.
Ferizaj,12 Mars 2014. INPO është mjaftë e shqetësuar nga Vendim i i kryetarit të komunës së Ferizajt që të emëroj një Ushtrues Detyre i cili nuk posedon diplomë universitare, në pozitën e Udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit, që është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës (Ligji Nr. 04/L-042), i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në Gusht të vitit 2011.
Në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës (Ligji Nr. 04/L-042), Neni 23 pika 2, shprehimisht përcaktohet se një person mund të shërbej si zyrtarë përgjegjës i prokurimit vetëm nëse posedon diplomë universitare, dhe një certifikatë valide, bazike apo të avancuar të prokurimit të lëshuar nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike.
INPO i bënë me dije kryetarit të komunës së Ferizajt se Ushtruesi aktual i Detyrës së Udhëheqësit të Prokurimit, nuk ka të drejtë të nënshkruaj asnjë kontratë publike në emër të komunës së Ferizajt, ngase nuk i përmbush kriteret e parapara me Nenin 23 të Ligjit për Prokurim Publik (Ligji Nr. 04/L-042), dhe rrjedhimisht cfar do kontrate e nënshkruar nga Ushtruesi Aktual i Detyrës së Udhëheqësit tëProkurimit, nuk është e vlefshme dhe do t’i nënshtrohet zhvleftësimit.
Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e procedurave të prokurimit dhe detyrueshmërinë e ekzekutimit të buxhetit të komunave nëpërmjet procedurave të prokurimit publik,INPO konsideron se emërimi i një zyrtari i cili nuk mund të nënshkruaj kontrata të prokurimit është skandaloz dhe shumë i rrezikshëm për performancën buxhetore të komunës së Ferizajt, dhe vecanërisht për realizimin e investimeve kapitale në kohën e duhur.
Prandaj, INPO do të kërkojë nga të gjitha organet kompetente në nivel qendror që t’i marrin masat e duhura në raport me shkeljet e Ligjit për Prokurim Publik nga ana e kryetarit të komunës së Ferizajt. Gjithashtu, do të kërkojmë edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që të arsyetoj regjistrimin e Deklaratës nën Betim të Ushtruesit të Detyrës së Udhëheqësit të Zyrës së prokurimit në komunën e Ferizajt, duke pasur parasysh se në bazë të Nenit 23, pika 4 e Ligjit për Prokurim Publik, Deklarata nën Betim është dokumenti që vërteton se personi që do të shërbejë si zyrtar i prokurimit i përmbush kriteret e parapara me Ligjin për Prokurimin Publik.