Komunikatë për Media Raporti i monitorimit “Qeverisja lokale në Prishtinë, Janar-Dhjetor 2011”

28/02/2012

Prishtinë, 28 Shkurt 2012 – Iniciativa për Progres (INPO) publikon raportin “Qeverisja Lokale në Prishtinë” bazuar në monitorimin e punës së Komunës së Prishtinës gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2011. Monitorimi është gjithëpërfshirës, dhe si fokus ka Kuvendin Komunal dhe Ekzekutivin e Komunës. Metodologjia e përdorur në hartimin e këtij raporti përfshin elemente të hulumtimit cilësor, sasior dhe krahasues derisa burimet e të dhënave për përpilimin e këtij raporti përfshijnë raportet e monitorimit të INPO-s të përgatitura nga monitoruesit në terren, analiza të funksionimit të projekteve brenda komunës, tryezat e organizuara nga INPO gjatë implementimit të projektit, analizë të dokumenteve dhe shkresave zyrtare të organeve komunale.

INPO vlerëson se qeverisja në Komunën e Prishtinës ka shumë probleme dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2011 nuk kanë përmbushur premtimet e dhëna dhe pritjet e kërkesat e qytetarëve. Për më tepër puna e Komunës është karakterizuar edhe me shkelje të shumta ligjore dhe shkelje të parimeve të funksionimit të institucioneve demokratike. Në anën tjetër indikatorët për zhvillim ekonomik, arsimin, profesionalizmin e administratës janë negativë. INPO vlerëson se edhe vetë roli i Kuvendit Komunal ka qenë shumë i kufizuar në punën e përgjithshme të Komunës.

EKZEKUTIVI I KOMUNËS

Ekzekutivi në nivelin komunal paraqet pushtet mjaft të fuqishëm me kompetenca të mëdha dhe i cili udhëhiqet nga Kryetari i Komunës. Gjatë vitit 2012, ekzekutivi ka pasur probleme të shumta në sigurimin e qëndrueshmërisë financiare, realizimin të projekteve dhe investimeve për zhvillimin lokal në shumë fusha dhe në uljen e papunësisë.
Komuna e Prishtinës për vitin 2012 planifikon të hyra vetjake prej 21,752,189 euro, një rritje prej 1,576,267 euro nga 2010, kurse për vitin 2013 dhe më tutje parashihet stagnim, kjo bazuar në trendët nga viti 2011. Komuna nuk ka burime të qëndrueshme të të hyrave vetjake dhe rrezikon jashtëzakonisht shumë që në të ardhmen të varet nga niveli qendror dhe rrezikon realizimin e projekteve me rëndësi për qytetin. Në anën tjetër, Prishtina ka potenciale të mëdha për gjenerimin e të hyrave vetjake, sidomos nga sektori i lejeve të ndërtimit që momentalisht është burimi më i madh, përparësi e cila nuk është shfrytëzuar pothuajse fare. Kjo pasi Komuna e Prishtinës, përkundër kaosit urbanistik të qytetit, gjatë vitit 2011 ka miratuar vetëm një plan rregullues për një lagje. Prishtina vazhdon të jetë një prej vendeve më të papërshtatshme për marrjen e lejeve të ndërtimit në rajon dhe më gjerë.
Në bazë të Raportit Vjetor të punës për vitin 2011 të Komunës së Prishtinës, masat kryesore të cilat i ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës për uljen e papunësisë janë investimi i një buxheti prej 23,400 € në projekte për zvogëlimin e papunësisë dhe fakti se Komuna ka mbështetur trajnimin e 30 të rinjve për ndërmarrësi duke i vendosur ata për 6 muaj në punë praktike nëpër biznese të ndryshme si dhe ka përkrahur financiarisht ata me shuma simbolike.
Këto informata janë indikatorë i mungesës së kujdesit dhe vizionit në një prej fushave kryesore dhe më me rëndësi për qytetarët. Sidomos nëse kjo krahasohet me shpenzimet rreth 95.000 euro për karburant (4 herë më shumë se buxheti për papunësi) për vetura zyrtare të Komunës, apo mbi 8 milionë euro për ndërtimin e shesheve. Për më tepër Komuna ka dështuar në funksionalizimin e inkubatorëve të bizneseve, vaucherëve, ngritja kapaciteteve të administratës e shumë projekteve tjera për zhvillim ekonomik.

Sa i përket cilësisë së shërbimeve publike, efikasitetit dhe profesionalizmit të stafit Komuna e Prishtinës ka probleme të mëdha. Administrata Komunale e Prishtinës i ka të punësuar një staf prej 719 personash. Përgatitja profesionale e stafit të angazhuar në komunën e Prishtinës është jo e kënaqshme, ku 60% e stafit të Komunës së Prishtinës është me shkollë të mesme. Nga 719 persona të punësuar, 32% janë me fakultet, 5% me shkollë të lartë dhe 3% me arsim tjetër. Ky staf është duke i përtërirë me norma jashtëzakonisht të ngadalshme. Gjatë vitit 2011 është ripërtërirë vetëm rreth 3.5% e stafit të Komunës.

Sa i përket fushës së Arsimit me një buxhet prej rreth 17 milionë euro nga 22 projekte të parapara me buxhet për vitin 2011 ka realizuar vetëm 15. Në anën tjetër, për shkak të mos-marrëveshjeve me nivelin qendror sistemi i arsimit fillor dhe të mesëm vazhdon të mbetet pa asnjë lloj mbikëqyrje cilësore. Problem tjetër me rëndësi mbetet siguria në shkolla, që për 35% e qytetarëve është problemi kryesor me edukimin në Prishtinë. Viti 2011 ka regjistruar disa incidente edhe me pasoja fatale në shkollat e Prishtinës.

KUVENDI KOMUNAL

Në Kuvendin Komunal në Prishtinë janë gjithsej 51 ulëse ku janë të përfaqësuara gjithsej tetë parti politike. Ndër shqetësimet e INPO-s lidhur me Kuvendin është niveli i ulët i ushtrimit të kontrollit ndaj ekzekutivit të komunës, fokusi i punës të cilin e ka pasur dhe lidhja me qytetarët nga të cilët janë zgjedhur.
Kontrolli ndaj ekzekutivit është shumë i limituar, e cila shpjegohet me faktin se edhe ushtrimi i pyetjeve me shkrim apo kërkimi i informatave nga asamblistët për drejtoritë komunale, injorohen në shumicën absolute nga këta të fundit. Në anën tjetër asamblistët zakonisht po e humbin komunikimin me qytetarë dhe nuk janë aktiv në ngritjen e çështjeve me interes për ta. INPO ka vërejtjet e saj edhe sa i përket cilësisë së debatit në Kuvend, i cili debat në shumë raste devijon në fyerje personale dhe retorikë politike.
Kuvendi i Komunës në vitin 2011 ka marrë 37 vendime, 5 rregullore, 2 raporte dhe 7 ndryshime statusore. Shikuar në aspekt cilësor, Kuvendi i Komunës gjatë vitit 2011 ka diskutuar për ndryshime statusore të institucioneve komunale në 19% e kohës, urbanizëm 14%, ndërmarrje publike komunale 10%, ekonomi 8%, shëndetësi 4% dhe arsim 4%. Ky fokus i punës së Kuvendit është një tregues i disproporcionit me ato çështje të cilat qytetarët i konsiderojnë me rëndësi, apo çështjet të cilat janë fokus i ekzekutivit.
Është karakteristikë e Kuvendit Komunal të Prishtinës ndryshimet e partive nga ana e deputetëve. Dy deputetë i ka përfituar LDK dhe një Vetëvendosja nga partitë tjera.

TRANSPARECA DHE LLOGARIDHËNIA

Në drejtimin e respektimit të parimeve të transparencës dhe llogaridhënies Komuna e Prishtinës vlerësohet dobët për shkak të mbylljes për bashkëpunim me qytetarë dhe OJQ. Ky është një përfundim nga monitorimi i organizatës INPO, por që është evidentuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Kanë qenë disa raste përmes të cilave komuna ka dëshmuar këtë mbyllje, duke përfshirë injorimin e institucionit të avokatit të popullit, funksionimin me rregullore kundër-kushtetuese për transparencë, mbylljen e Komitetit për Politikë dhe Financa për t’u monitoruar nga INPO pa asnjë arsye, injorimin e dhjetëra kërkesave për qasje në dokumente zyrtare të ngritura nga INPO, mungesa e zyrës dhe zyrtarit për pranimin dhe shqyrtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, ashtu sikurse kërkohet me Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare. Në anën tjetër edhe sa i për ketë llogaridhënies INPO është ballafaquar me praktika jo të mira nga ana e Komunës së Prishtinës, duke përfshirë mungesën e përgjegjësisë mbi realizimin e projekteve.
Një prej fushave të dobëta të Komunës së Prishtinës është edhe përfshirja e qytetarëve në vendim-marrje dhe konsultimet publike. Komuna e Prishtinës ka ngecur vetëm në komunikimin një-kahor, ku ajo është informuesja. 70% e qytetarëve deklarojnë se në asnjë formë nuk janë përfshirë në diskutimet në lidhje me ndonjë plan të komunës dhe as nuk kanë pasur asnjë formë të shprehjes së mendimit të tyre. Nga këta qytetarë, të cilët janë pyetur se pse nuk janë përfshirë asnjëherë në diskutime dhe vendimmarrje, 63% tyre deklarojnë se besojnë se mendimet e tyre nuk merren parasysh nga komuna, 29% se nuk janë njoftuar asnjëherë për këto mundësi, dhe 8% besojnë se kemi të bëjë me procedura shumë burokratike. Kjo reflektohet edhe në ushtrimin e mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë të cilët parashihen në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ku qytetarëve të Prishtinës u mohohen komitetet konsultative derisa prej 4 mekanizmave tjerë, pjesërisht ka funksionuar vetëm njëri.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2011 ka vendosur që prapë të bëjë ndryshime në strukturën organizative të komunës. Me vendimin e datës 30.11.2011, Kuvendi Komunal ka votuar propozimin e ekzekutivit për të shtuar drejtorinë e Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, dhe Drejtorinë e Pronës. Këto ndryshime në strukturën organizative të komunës janë shëndrruar në një praktikë të zakonshme kur duhet të adresuar dështimet e një drejtorie dhe pakënaqësitë e mëdha të qytetarëve me shërbimet të cilat ofrohen nga ajo drejtori. INPO është e shqetësuar sepse këto ndryshime nuk kanë sjellë përmirësim cilësie, efikasiteti apo dobi tjera.