Komunikatë për Media: Raportet e Ndermarrjeve Publike Komunale për vitin 2011
29/03/2012Prishtinë – 29 Mars 2012. Ndërmarrjet Publike Komunale në mbledhjen e fundit të kuvendit komunal ka prezantuar para 51 këshilltarëve të këtij kuvendi dhe para ekzekutivit të Komunës së Prishtinës raportin e punës për vitin 2011. Iniciativa për progres – INPO i ka bërë një analizë të shkurt këtyre raporteve dhe ka konstatuar së këto raporte nuk i plotësojnë as kriteret bazë për raport profesional që tregon në mënyrë të qartë zhvillimin, sfidat dhe sukseset në këto ndërmarrje publikë në komunën e Prishtinës.
Raportet nuk janë bazuar në zhvillimet e punëve reale të Ndërmarrjeve Publike Komunale, raportet që u janë prezantuar asamblistëve të Prishtinës po thuajse janë përshkime identike të raporteve të viteve të kaluara. Nëse analizohen këto raporte është vështirë të gjendet lidhshmëria në mes këtij dokumenti dhe dokumenteve tjera strategjike qe i kanë këto kompani.
Këto raporte të Ndërmarrjeve Publike Komunale janë formale, ato do të duheshin të jenë sa më substanciale dhe të raportojnë punën që e kanë bërë gjatë vitin 2011. Të gjitha aktivitetet e tyre që i kanë ndërmarrë, projektet të cilat i kanë realizuar implementimin e tyre nëpër faza konkrete që të dihet së ku janë vështirësitë dhe projektet të cilat nuk kanë mundur të i realizojnë gjatë kësaj periudhe do të duheshin të përfshihen në raport.
Raportet e këtyre ndërmarrjeve nuk përmbajnë as informacione të rëndësishme si për përmbajtjen e të dhënave për pagat e punëtoreve, pagat e menaxhmentit, të cilët i udhëheqin këto kompani.
Nuk janë paraqitur as borxhet që i kanë qytetarët ndaj këtyre kompanive, ku do të duhej të dihet sa është shuma e borxhit? Këto kompani nuk kanë dhënë asnjë shpjegim se si nuk kanë mundur t’i kryejnë obligimet dhe përgjegjësitë që i kanë, gjithashtu as përmbushjen e nevojave(kërkesave) të qytetarëve. Për ne si organizatë është e paqartë qasja e këtyre kompanive në inkasimin e borxheve dhe ngritjen e cilësisë për qytetarët.
Organizata INPO shpreh shqetësimin se këto raporte por edhe forma e raportimit janë shumë sipërfaqësore. Në asamble nuk ka debat të mirëfilltë për këto kompani që ne si organizatë i konsiderojmë si të dështuar gjatë viteve që lamë pas. Sidomos aspekti financiarë dhe përgjegjësia fiduciare nuk gjejnë hapësire në diskutimin e asamblistëve. Edhe pse kjo është përgjegjësi ligjore si nga ana e kompanisë ashtu edhe nga ana e Komunës së Prishtinës duke u bazuar në Ligjin për ndërmarrjet publike dhe ligjin për shoqëri tregtare.
Gjatë analizimit të raporteve të ndërmarrjeve publike kemi hasur në këto paqartësi:
1. Nuk theksohen ne mënyrë te qartë nëse sa kanë arritur zhvillim këto kompani, cilat kanë qenë sfidat dhe cilat janë sukseset e arritura të këtyre ndërmarrjeve.
2. Cilat kanë qenë vështirësitë gjatë realizimit të projekteve që i kanë pasur këto kompani për t’i realizuar gjatë vitit 2011?
3. Projektet të cilat nuk kanë mundur t’i realizojnë gjatë kësaj periudhe kohore nuk janë sqaruar pse nuk janë realizuar, cilat kanë qenë shkaqet për mosrealizimin e tyre.
4. A janë cekur të gjitha aktivitet që i kanë bërë këto kompani gjatë vitit 2011, ku dhe mungojnë të dhënat bazë për aktivitete të ndryshme në qoftë se kanë pasur këto kompani?
5. Kontrata të cilat i kanë nënshkruar gjatë vitit 2011 a janë përmbushur, cilat kanë qenë përfitimet dhe a janë përmbushur plotësisht këto kontrata?
6. Mos respektimi i parimeve bazë të transparencës dhe llogaridhënies, ku nuk kemi asnjë llogaridhënie mbi projektet të cilat nuk janë realizuar.
7. Mos paraqitja e të dhënave mbi bordin e drejtorëve dhe stafin menaxhues, nivelin e pagesave në bazë të hierarkisë punuese që po të ishin këto të dhëna do të kishim një raport më të detajizuar.
8. Si do të rrisin nivelin e inkasimit të borxheve që qytetarët kanë ndaj këtyre kompanive nuk është thënë fare, ndërsa në anën tjetër të gjitha kompanitë ankohen që kanë inkasim të ulët.
9. Objektivat të përgjithshme dhe jo konkrete mbi punën e ndërmarrjeve gjatë viteve të ardhshme, të dihet se cilat do të jenë objektivat e këtyre ndërmarrjeve që në të ardhmen të iu ofrojnë qytetareve shërbime më të mira.