Komunikatë për Media
04/08/201104 gusht 2011, Ferizaj – Në mbledhjen e nesërme të Kuvendit Komunal ndër pikat e rendit të ditës është edhe Propozim-Vendim për kufizimin e ofrimit të shërbimeve të caktuara komunale dhe kushtëzim i ofrimit të këtyre shërbimeve me pagimin e faturave për mbeturina dhe ujë.
Ne vlerësojmë se një propozim-vendim i tillë është jo ligjor dhe kundër praktikave të administratës efikase. Lidhur me rastet e mos-pagesës së faturave të shërbimeve komunale të ujit, mbeturinave apo edhe shërbimeve tjera sikurse është energjia elektrike, ngrohja, është paraparë në mënyrë të qartë se cilat procedurat ligjore duhet ndiqen për të detyruar qytetarët t’i paguajnë ato. Sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore (Ligji nr. 03-L08), neni 30, faturat e shërbimeve komunale kanë titull ekzekutiv dhe përmbarimi për to bëhet në procedurë gjyqësore drejtpërdrejt. Në anën tjetër qasja në shërbimet publike është një prej të drejtave fondamentale të qytetarëve, i cili nuk mund të kufizohet me kushtëzime të tilla. Andaj, në rast se miratohet një vendim i tillë Kuvendi do të bëjë shkelje të juridiksionit të gjykatave për të adresuar këto raste dhe to të bëjë shkelje të një prej të drejtave elementare të qytetarëve, qasja e pakushtëzuar në shërbime publike.
Përpos anës ligjore, ky vendim ka efekt edhe efikasitetin e administratës komunale, edhe ashtu me shumë probleme. Bazuar në këtë vendim qytetarët do të duhej të kalonin edhe hapa tjerë të shumtë procedural (sigurimi i të gjitha dëshmive të faturave nga të gjitha ndërmarrjet) për tu pajisur me dokumenta nga administrata e komunës. Kjo do të ishte ngarkesë e tepërt për qytetarë dhe “dënim” për qytetarët të cilët kanë qenë korrektë në detyrimet ndaj komunës. INPO gjithashtu i rikujton asambleistëve se një veprim të tillë shkelin parimin e organizimit të administratës dhe ofrimit të shërbimeve me numër sa më të vogël të hapave procedural në administratë. Në anën tjetër edhe administrata do të ngarkohej edhe më tepër me detyrën e verifikimit të vërtetësisë së dokumenteve të tilla, pastaj të analizojë rastet kur pronësia është e pa definuar dhe shumë probleme tjera.
INPO kërkon që kjo pikë të hiqet nga rendi i i ditës për mbledhjen e nesërme, dhe ti bëhet një analizë më e detajuar ndikimit të cilin do ta ketë një veprim i tillë.
Ne jemi të vetëdijshëm që qytetarët nuk po i kryejnë obligimet ndaj ndërmarrjeve “Pastëria” dhe “Bifurkacioni” por duhet të respektohen format ligjore të parapara.
Praktikat e tilla të kushtëzimit as nuk duhet të mendohen në sistemet demokratike sepse këto forma i takojnë regjimeve të kaluara.
INPO bënë thirrje këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Ferizajt të cilët janë të zgjedhur të drejtpërdrejt të popullit për ti përfaqësuar interesat e qytetarëve në Kuvend që në mbledhjen e nesërme të Kuvendit mos ta miratojnë këtë pikë të rendit të ditës.