Komunikate per media

04/05/2011

Organizata INPO përshëndet çdo iniciativë të institucioneve të hetuesisë dhe të drejtësisë për luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të parave të taksapaguesve kosovarë në çdo nivel të qeverisjes qoftë ai qëndror apo lokal.
Me arrestimet e fundit në Komunën e Prishtinës, por edhe më herët në komuna të tjera, po dëshmohet se Zyrat e Prokurimit dhe ato institucione që menaxhojnë me paratë e qytetarëve kosovar, vazhdojnë të jenë burim i korrupsionit dhe keqpërdorimeve të ndryshme brenda institucioneve publike.
Hetimet dhe veprimet që kanë për synim luftimin e korrupsionit në çdo nivel të tij, duhet të përkrahen nga të gjithë, e sidomos nga përfaqësuesit e lartë politik në vend që marrin vota me premtimin për luftim të korrupsionit. Gjithashtu, hetime dhe arrestime duhet të inicohen në çdo institucion apo komunë ku ka dyshim të bazuar se paratë e taksapaguesve po keqpërdoren për përfitim personal dhe të grupeve të ngushta të interesit të lidhura me pushtetin.
INPO mbetet e përkushtuar për të monitoruar punën e institucioneve publike, në veçanti të komunave të Kosovës, me fokus të veçantë në Zyrat e Prokurimit të këtyre komunave, me synim kryesor që paratë e taksapaguesve të përdoren për të mirë të qytetarëve e jo të keqpërdoren në mënyrën më të keqe nga politikanët dhe zyrtarët që kanë qasje në to.
INPO bënë thirrje tek të gjitha institucionet përgjegjëse që të luftojnë korrupsionin në çdo formë dhe në çdo vend që paraqitet ai dhe të zbatohen parimet kryesore të transparencës dhe llogaridhënies në çdo transaksion financiar publik.