Komunikata 3 (17:00) Dalja në votime deri në ora 17:00 dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor
27/05/2012(Raport paraprak përmbledhës. Detajet për secilën çështje të identifikuar do të jepen në raportet me të detaizuara që do të përgatiten pas procesit të votimit)
Ferizaj – Në bazë të informacioneve të mbledhura nga vëzhguesit e D4D-së, deri në ora 17:00 kanë votuar 21,179 votues (plus 388 votues me kusht) ose 22.6% nga numri total i votuesve prej 95,449. Në zonat urbane dalja ka qenë 18.5% ndërsa në zonat rurale 27%. Dalja më e lartë ka qenë 37.16% në një vendvotim, dhe më e ulëta ka qenë 11%. Mesatarisht kanë votuar 171 votues për një vendvotim.
Gjatë vizitave që ekipet mobile të D4D-së dhe INPO-s kanë bërë në qendra të ndryshme të votimit, ata kanë vërejtur turma të mëdha njerëzish të cilat kanë qëndruar para qendrave të votimit e të cilat janë larguar me paraqitjen e ekipeve tona në qendra të votimeve. Ikja e tyre me rastin e vizitave të ekipeve tona, rrit edhe më shumë dyshimet se prania e tyre në qendra të votimit është e paautorizuar dhe ka për qëllim shantazhimin e votuesve. Në shumë vendvotime vëzhguesit e partive politike nuk kanë mbajtur dokumentet e tyre identifikuese në vendin përkatës. Fotoja në vijim e dëshmon se si fshihen dokumentet identifikuese nga vëzhguesit e partive politike.
Në qendrën e votimit 2504D, vendvotimi 06d, drejtori po sjellë votues të cilët nuk janë nga komuna e Ferizajt. Po ashtu në të njëjtin vendvotim një votues ka tentuar që të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij (me letërnjoftim të saj, pa praninë e saj), por i njëjti është ndaluar.
Në qendrën e votimit 2501D (shkolla Tefik Qanga), vendvotimi 02r, ka pasur një tensionim të vogël në mes të një votuesi dhe një komisioneri. Deri të tensionimi i situatës ka ardhur në momentin kur komisioneri i ka bërë të ditur votuesit në fjalë që nuk mund të asistoj në votim një të afërme të tij pa u nënshkruar paraprakisht në listë të votuesve se e njëjta ka nevojë për asistencë në votim. Pas kësaj, votuesi në fjalë është nervozuar dhe ka bërë të pavlefshme fletëvotimet e tij dhe të afërmes së vetë. Deri te qetësimi i situatës ka ardhur kur të njëjtëve i janë dhënë fletëvotime të reja për të votuar. Në qendrën e votimit 2507D, 01r, një votuesi i është lejuar që të votojë me kopje të letërnjoftimit.