Komunat po digjen, Qeveria hesht

28/08/2012

Prishtinë, 28 Gusht 2012 – Iniciativa për progres shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar nga zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të Kosovës. Pyjet të cilat janë kapluar nga zjarri kanë krijuar një situatë të rëndë dhe përderi sa dëmet e shkaktuara janë të parikuperueshme është shumë shqetësuese heshtja e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe normalizimin e situatës. Situata të tilla si në Komunën e Deçanit ku nga zjarri janë përfshirë më tepër se 100 hektarë pyje, kryetari i komunës në momentin e parë që ka vlerësuar se kapacitetet lokale nuk mjaftojnë për fikjen e zjarreve është dashur të shpall gjendje emergjente dhe të kërkojë asistencë qendrore, pasi që mbi të bie përgjegjësia për sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve të komunës.

Është shqetësuese heshtja e Presidentes së Republikës që duke parë neglizhencën e qeverisë, në bazë të nenit 84 të kushtetutës së Republikës së Kosovës të thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe të ndërmarr masat e nevojshme për mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Gjithashtu për INPO-n hezitimi i qeverisjes lokale në Deçan që të shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe pas përfshirjes nga zjarri tani e dy muaj, tregon paaftësi.

Qeveria e Kosovës si hartuese dhe përgjegjëse për implementimin e Planit të Reagimit Kombëtar, veqanërisht Ministria e Punëve të Brendshme si përgjegjëse për koordinimin e operacioneve qendrore brenda Kosovës për tu përgatitur dhe reaguar ndaj fatëkeqësive natyrore, apo të shkaktuara nga faktori njeri, deri më tani nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për shuarjen e këtyre zjarreve dhe se këto zjarre po përpiqen t’i shuajnë dhe ndalojnë së zgjeruari në hapësira të tjera vetëm njësitet e zjarrfikësve komunave të kapluara nga zjarret dhe disa qytetarë.

INPO i bënë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të krijoj qasje gjithëpërfshirëse kombëtare për menaxhimin e incidenteve dhe emergjencave të kësaj natyre, të zbatoj mekanizmat ligjor dhe ndërinstitucional të parapar edhe me Planin për Reagim Kombëtar dhe të ndërmarr aktivitetet dhe veprimet e nevojshme për shuarjen dhe përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Duke pasur parasysh kapacitetet modeste të institucioneve të Kosovës për shuarjen e zjarrit, INPO kërkon nga kryeministri Thaçi që të thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe t’i kërkohet vendeve mike që të na ndihmojnë me logjistikë për shuarjen e zjarreve.