Komuna nuk është Odë e Babës!
20/05/2011Sot zyrtari i organizatës INPO, Kristian Hasanaj, nuk u lejua të marrë pjesë dhe të përcjellë punën e Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Prishtinës. Përkundër ligjit dhe rregulloreve në fuqi si dhe në kundërshtim të plotë me udhëzimin dhe letrën shpjeguese të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Prishtinës dhe zyrtarët në të, vazhdojnë të sillen në këtë institucion sikur të ishin, na vjen keq ta themi, në Odë të Babës së tyre dhe jo në një institucion publik i cili duhet të jetë transparent dhe i hapur për publikun.
Organizata INPO, është thellësisht e indinjuar dhe e sheqëtësuar me faktin se institucionet që bëjnë ligjin dhe rregulloret komunale dhe të cilat dënojnë qytetarët, rrënojnë objektet si pasojë e mos respektimit të tyre, sot, si dhe në të kaluarën, po janë shembulli më i keq i mos respektimit të tyre.
Zyrtari i INPO-së kishte shkuar sot para orës 15:00 për të marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, një institucion ky që duhet të jetë i hapur dhe transparent për shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët, mirëpo nuk ishte lejuar nga Kryesuesi i këtij komiteti z. Sami Hamiti, me arsyetimin: “Nuk mund të merrni pjesë në mbledhjet e komitetit, ju e dini pse!”.
Një veprim i tillë, përveç që është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Udhëzimin Administrativ për Transparencë nëpër Komuna, Rregullores Komunale për Transparencë dhe parimeve tjera bazë të demokracisë dhe qeverisjes së mirë, është një tregues negativ, se Komuna e Prishtinës, veçanërisht zyrtarët e lartë si z.Hamiti, po e trajtojnë këtë institucion si të ishte institucion privat i tyre dhe jo një institucion publik që përfaqëson interesat e qytetarëve të komunës së Prishtinës.
Me mos lejmin për të përcjellë punën e Komitetit për Politikë dhe Financa, Komuna e Prishtinës përveç që po na e dëshmon se nuk njeh ligj dhe nuk njeh autoritet më të lartë mbi të, siç është MAPL, po tregon gjithashtu se nuk është e gatshme për të lejuar pjesëmarrjen e publikut në monitorimin e punës së këtij institucioni publik dhe në proceset vendimmarrëse brenda komunës. Kjo gjë është e rrezikshme për zhvillimin demokratik brenda Komunës së Prishtinës dhe për përafrimin me vlerat evropiane të qeverisjes demokratike, transparente dhe llogaridhënëse.
INPO bën thirrje Komunës së Prishtinës, që të zbatoj standardet evropiane dhe parimet demokratike të qeverisjes lokale, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kemi integrim të suksesshëm evropian dhe jo hecje mrapa drejt sistemeve të mbyllura të qeverisjes dhe pa pjesëmarrje të publikut dhe qytetarëve.
INPO do të dërgoj edhe një kërkesë MAPL-së për hapa konrekt, në krijimin e kushteve të nevojshme për pjesëmarrje të OJQ-ve, mediave dhe qytetarëve në proceste vendimmarrëse dhe punën e Komunës së Prishtinës.