Komuna e Rahovecit paguan dy herë faturën e njejtë. Pas intervenimeve të INPO-s mjetet i rikthehen buxhetit të komunës

06/04/2023

Prishtinë, 06 prill 2023 – INPO përshëndet gatishmërinë e Kryetarit të Komunës së Rahovecit për të adresuar gjetjet e monitorimit të kontratave të prokurimit publik me qëllim të ruajtjes së parasë publike dhe kërkon që të ushtrohet mbikqyrje më e madhe ndaj menaxherëve të kontratave.

Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, INPO është duke monitoruar kontratën e centralizuar me titull: “Shfrytzimi i fotokopjeve dhe printerve me qira– Niveli lokal”, me numër të prokurimit 2016-18-6489-2-1-1, dhe vlerë të parashikuar 2,295,000.00 euro, e udhëhequr nga Agjencia Qendrore e Prokurimit e ndarë në gjashtë (6) llote për gjashtë (6) regjione të Republikës së Kosovës.

Gjatë monitorimit, INPO ka gjetur se komuna e Rahovecit ka pagur dy herë faturën e njejtë në vlerë prej 721.56 euro për shërbimet e fotokopjeve dhe printerëve. Pas informimit të zyrtarëve përgjegjës lidhur me këtë gjetje, komuna e Rahovecit ka kërkuar nga operatori ekonomik që të bëjë kthimin e mjeteve. INPO është informuar se kjo faturë është rimbursuar dhe se mjetet e ekzekutuar në kundërshtim me dispozitat ligjore janë rikthyer në buxhetin e komunës.

INPO kërkon nga Kryetari i komunës së Rahovecit që të sigurohet se menaxherët e kontratave dhe zyrtarët tjerë të përfshirë në ciklin e menaxhimit të kontratave dhe të menaxhimit dhe kontrollit financiar brenda komunës, të kryejn detyrat dhe përgjegjësitë e tyre me profesionalizëm dhe integritet duke u siguruar se paraja publike menaxhohet dhe shpenzohet sipas ligjit dhe në interes të qytetarëve.

INPO do të vazhdoj të monitoroj prokurimin publik në të gjithë Republikën e Kosovës.