Komuna e Prishtinës injoron Bashkësitë Lokale

17/12/2013

Prishtinë, 11 Dhjetor 2013 – Iniciativa për progres (INPO) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “ Funksionimi i bashkësive lokale në Komunën e Prishtinës. Ky aktivitet është në kuadër të projektit “Ngritja e transparencës dhe llogaridhënies në Komunën e Prishtinës”, i cili mbështetet nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur/KFOS.

Përgjegjësitë e bashkësive lokale janë shumë dimensionale, dhe po që se ushtrojnë funksionin e tyre ashtu siç e parasheh ligji, ato do të kontribuonin shumë në ofrimin e shërbimeve më afër për qytetarët. Në këtë rast bashkësitë lokale emërojnë komisionet përkatëse për t’i realizuar objektivat e fshatit, vendbanimit dhe lagjes, evidentojnë dhe paraqesin prioritetet e lokalitetit para organeve të komunës, si dhe hartojnë planet dhe programet zhvillimore të lokalitetit në të gjitha sferat.

Komuna e Prishtinës ka gjithsej 33 bashkësi lokale. Njëzet këshilla lokale janë të shtrira në qytet kurse trembëdhjetë janë të përqendruara në fshatrat e komunës.

Në këtë tryezë ishin të ftuar të gjithë kryetarët e bashkësive lokale në Komunën e Prishtinës. Qëllimi i organizimit të tryezës ishte diskutimi mbi funksionimin dhe problemet që ballafaqohen bashkësitë lokale të Komunës së Prishtinës, raportet e këshillave lokale me organet komunale, ofrimi i shërbimeve për qytetarë dhe roli i qytetarëve në vendimmarrje.

Nga të pranishmit në tryezë u konkludua se bashkësitë lokale janë jofunksionale, pasiqë kushtet për punë nuk janë aspak të përshtatshme. Në disa raste mungon lokaliteti i përcaktuar për zyrat e këshillave lokale, ka mungesë inventari, njëkohësisht ka munguar edhe mbështetja financiare e komunës gjer më tani.

Kryetarët e bashkësive lokale kërkuan nga Komuna e Prishtinës, respektimin e rregullores në fuqi për bashkësitë lokale, kompensimin material për angazhimin e tyre dhe përfshirjen e bashkësive lokale në procesin e vendimmarrjes.

Poashtu kontakti në mes bashkësive lokale dhe Komunës së Prishtinës lë shumë për të dëshiruar. Në këtë rast përfaqësuesi i bashkësisë lokale në Llukar, z. Qerim Ademi, theksoi: Nuk kemi pasur asnjëherë kontakt me kryetarin e komunës dhe nuk kemi marrë kurrë përgjigje për kërkesat tona. Pothuaj të gjithë të pranishmit ndanin shqetësimet e njëjta mbi funksionimin e deri tanishëm të bashkësive lokale në Prishtinë.

INPO vërejtjet dhe të gjeturat e dala nga kjo tryezë do t’i dërgojë në formë të rekomandimeve në zyrën e kryetarit. Dhe do të avokojë që në qeverisjen e re komunale këto rekomandime të implementohen.