
Komuna e Podujevës kufizon konkurencën e lirë dhe të barabartë në tenderin 3.4 milionësh, INPO fton KRPP-në dhe Prokurorin e Shtetit të veprojnë
01/08/2024Prishtinë, 1 Gusht 2024 – Organizata INPO reagon ashpër kundër shkeljeve ligjore të Komunës së Podujevës në tenderin për “Ndërtimin i kanalizimit nga fshati Lluzhan-Lupç, GërdofcLluzhan, Majac-Lupç dhe Sfeqël-Lluga (Kolektori)”, me numër të prokurimit 615-24-7141-5-1-1 dhe vlerë të parashikuar 3,413,499.97, dhe kërkon nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që të mbajë përgjegjës sipas ligjit zyrtarin përgjegjës të prokurimit, si dhe fton Prokurorin e Shtetit që të hetoj këtë tender.
Pas analizës së dokumenteve të tenderit INPO ka gjetur një varg shkeljesh serioze të ligjit dhe rregullave të prokurimit si në vijim:
- Vlera e parashikuar e kontratës është në kundërshtim me planifikimin e prokurimit për këtë tender, si dhe në kundërshtim me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024. Në planifikimin e prokurimit kjo kontratë ishte planifikuar të tenderohej në vlerë prej 700 mijë euro, ndërkaq është publikuar në vlerë prej afro 3.5 milionë euro, apo rreth 1 milion euro më shumë se sa shuma e aprovuar për tri vite fiskale në Ligjin për Ndarjet Buxhetore.
- Komuna ka shkurtuar afatin për pranimin e ofertave nga së paku dyzet (40) ditë sa është minimumi i lejuar i afatit ligjor për kontrata të vlerës së madhe, në njëzet (20) ditë pa asnjë lloj justifikimi të qëndrueshëm.
- Për këtë aktivitet të prokurimit janë vendosur kërkesa shumë të larta, jo proporcionale, jorelevante, diskriminuese dhe favorizuese sa i përket kapaciteteve teknike dhe profesionale që duhet të përmbushë operatori ekonomikë siç janë:
(i) “Në rast të formimit të grupit udhëheqësi i grupit duhet të ketë së paku 71% të shumës së kërkuar në punë të ngjajshme të realizuara në 3 vitet e fundit”.
(ii) “3 anëtarë të stafit të kenë nga 8 vite përvojë pune: a.Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë ose master (drejtimi hidro), b. Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë drejtimi konstruktiv, d.Master i ekologjisë drejtimi mbrojtje e mjedisit)”.
(iii) 1 (një) Lead Auditor i qertifikuar sipas standartit ISO 9001 2015, ISO 45001 2018,
të jetë i cetifikuar nga MPMS si ekspert i siguris dhe shëndetit në punë”.
(iv) “Operatori Ekonomik ( lideri i grupit ) duhet të ofrojë dëshmi se ka staf të mjaftueshëm teknik për realizmin e këtij projekti, minimumi 25 puntorë teknik të certifikuar nga aspeketi i sigurisë dhe shëndetit në punë”.
(v) “Çertifikatat ISO 45001-2018 Sistemi për menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të cilat duhet ti posedoj OE fitues”.
INPO përmes një komunikimi të brendshëm me komunën e Podujevës, më 17 korrik 2024, ka kërkuar nga zyrtari përgjegjës i prokurimit që t’i rishikoj këto gjetje dhe sipas rekomandimeve të përmirësohen çështjet e ngritura në mënyrë që të sigurohet integriteti i procesit të prokurimit dhe konkurencës së barabartë të OE-ve në këtë tender.
Zyrtari përgjegjës i prokurimit (ZPP) përmes një shkrese zyrtare ka deklaruar se shkurtimin e afateve ligjore për tenderim e ka lejuar Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) dhe se ky tender është Ri-tenderim. INPO ka gjetur se ky tender nuk është i ri-tenderuar dhe fton KRPP-në që të deklarohet se kush nga zyrtarët e saj ka tejkaluar kompetencat dhe mandatin e KRPP-së duke lejuar shkurtimin e afateve ligjore për ofertim në kundërshtim me ligjin.
Tutje, sipas vlerësimit të ZPP-së pavarësisht gjetjeve dhe rekomandimeve të INPO-s, të gjitha kërkesat për kapacitete teknike dhe profesionale të vendosura në dosjen e tenderit janë në harmoni me dispozitat ligjore dhe nënligjore për prokurim publik. Përkundër këtyre pohimeve, ZPP më 23.07.2024, ndryshon në mënyrë kozmetike dhe jo efikase, kërkesat diskriminuese për kapacitet teknik dhe profesional, duke mos i adresuar në plotni gjetjet e argumentura të INPO-s.
Tutje, vetëm pesë (5) ditë para mbylljes së afatit të shkurtuar kundërligjshëm për ofertim, komuna ndryshon paramasën për Lotin 2, kështu duke vënë në dispozicion edhe 15 ditë tjera për ofertim siç kërkon ligji në rast të ndryshimeve në tender, për çka INPO dyshon se këtë ndryshim të Lotit 2, e ka bërë me qëllim që të zgjatë afatin për ofertim, të cilin në mënyrë të kundërligjshme e ka shkurtuar.
Ndërkaq, sot komuna ka publikuar një dosje të tenderit me ndryshime, me ç’rast ka ulur kërkesat për për përvojën e punës për disa profile nga tetë (8) vite sa i kishtë kërkuar me publikimin fillestar të njoftimit për kontratë, në pesë (5) vite, kështu duke shënuar intervenimin apo përmirësimin e katërt në dokumente të tenderit përgjatë periudhës prej kur është publikuar njoftimi për kontratë.
INPO vlerëson se pavarësisht zgjatjes së afatit dhe uljes së disa kërkesave, dosja e këtij tenderi vazhdon të këtë kërkesa të larta, jo proporcinale, diskriminuese dhe favorizuese për operatorë të caktuar ekonomikë dhe se vlera e parashikuar e kontratës është në kundërshtim me Ligjin për Ndarjet Buxhetore dhe si e tillë nuk mund të procedohet tutje.
Andaj, INPO fton KRPP-në që të sqaroj publikisht se kush nga zyrtarët e saj ka lejuar shkurtimin e afatave për tenderim përtej kompetencave ligjore, dhe po ashtu e fton që të mbajë përgjegjës ZPP-në e Komunës së Podujevës për të gjitha shkeljet ligjore në këtë tender sipas autorizimeve që ua ka dhënë ligji për prokurim publik. Po ashtu, ftojmë Prokurorin e Shtetit që të hetoj këtë aktivitet të prokurimit.