Komuna e Ferizajt po shndrrohet në institucion të nepotizimit dhe mos respektimit të ligjeve

09/09/2014

Ferizaj, 09 Shtator 2014 – Iniciativa për Progres (INPO) sot përmes një konference për media shprehu shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit në komunën e Ferizajt, duke theksuar se ky pushtet po i shndrron institucionet komunale në institucione të nepotizimit dhe punësimit partiak në kundërshtim me të gjitha parimet demokratike dhe ligjet në fuqi.

Problemi i parë të cilin institucionet komunale kanë dështuar që t’a zgjidhin qysh nga fillimi i mandatit ka qenë dhe mbetet funksionalizimi i Bordeve të Drejtrorëve të Ndërmnarjeve Publike, të cilat janë bërë peng i interesave të ngushta politike të partive në pushtet. Për më tepër se gjashtë muaj këto borde janë duke u udhëhequr nga persona të pa kualifikuar, të cilët janë emëruar në këto pozita me mandat të përkohshëm.Tashmë mandati i përkohshëm ka përfunduar dhe Bordet e Drejtorëve në Ndërmarrjet Publike “Bifurkacioni” dhe “Stacioni i Autobusëve” janë duke funksionar pa mandat dhe në kundërshtim të drejtëpërdrejt me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Përpos Ndërmarrjeve Publike, komuna e Ferizajt po ballafaqohet edhe me një problem tjetër, atë të punësimit në bazë të kontratave mbi vepër të cilat po paraqiten si kontrata për shërbime të veçanta. Të gjitha këto veprime INPO i konsideron si praktika të dëmshme që kanë për qëllim final vetëm rehabilitimin e militantëve partiak duke neglizhuar nevojat e vërteta të institucioneve publike.

Po ashtu, INPO kërkoi që Kuvendi Komunal i Ferizajt të ushtrojë përgjegjsitë e veta ligjore ndaj Komisioneve Komunale të Aksionarëve të të gjitha Ndërmarrjeve Publike dhe të kërkojë prej tyre që të sqarojn gjendjen e krijuar me Bordet e Drejtorëve pa mandat dhe për personat që janë punësuar në mënyrë të paqartë. Në veçanti u kërkua që të sqarohet edhe poizicioni i Adem Salihajt që tanimë është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe akoma nuk ka prezantuar publikisht dorëheqjen nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në NP “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj.

Në fund, në mënyrë që të sigurohet transparenca në shpenzimin e parasë publike, INPO kërkoi që të publikohen të gjitha kontratat dhe marresveshjet e lidhura ndërmjet komunës së Ferizajt dhe Caritas Kosovës, duke përfshirë këtu edhe mënyrën e pagësës së këshilltarëve të kryetarit Svarqa. Marrëveshjet mes ketyre dy institucioneve duhet të bëhen publike në mënyrë që të sqarohen rastet kur komuna e Ferizajt jep dhe pranon donacione prej Caritasit që të mund të evitohen keqpërdorimet e mundshme dhe konflikti i interesit.