Komuna e Ferizajt jep tender të panevojshëm në vlerë prej 147,180 Euro

22/11/2013

Ferizaj 22 Nëntor 2013. Komuna e Ferizajt më datën 08 Korrik 2013 ka publikuar njoftimin e konkursit të projektimit për hartimin e planit rregullues për zonën e IV-të dhe V-të të qytetit, kurse më datën 18 Nëntor 2013 ka publikuar njoftimin për rezultatet e konkursit, ku fituesi i tenderit do të përfitojë 77,500 Euro për planin rregullues të zonës IV-të dhe 69,680 Euro për planin rregullues të zonës së V-të.

INPO vlerëson se ky tender është i jashtë ligjshëm dhe për pasojë edhe i panevojshëm, ngase do ta dëmtojë buxhetin e komunës në vlerë prej 147,180 Euro. Ky qëndrim i INPO-s mbështetet në ndryshimet që ka sjell Ligjii i ri për Planifikim Hapësinor (Ligji N3. 04/L-174) i cili është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 31 Korrik 2013. Edhe pse njoftimi për konkursin e projektit është bërë para se të miratohet Ligji i ri, komuna e Ferizajt ka pasur dy muaj në dispozicion që t’i ndërpres procedurat e tenderimit për hartimin e planeve rregulluese të cilat janë në kundërshtim me Ligjin e ri për Planifikim Hapsinor.

Ligji për Planifikim Hapsinor (Ligji N3. 04/L-174) në nenin 5 pika 1.2 përcakton se komunat e Kosovës nuk janë më të obliguara që të hartojnë plane rregullative ngase planifikimi i nivelit lokal për tërë territorin e komunave do të bëhet përmes këtyre dokumenteve të planifikimit hapsinorë, siq janë: 1. Plani Zhvillimor Komunal 2. Harta Zonale e Komunës dhe Planet Rregulluese të Hollësishme.

Gjithashtu në nenin 11 pika 1.5 të këtij Ligji, thuhet se autoriteti përgjegjës komunal për planifikim dhe menaxhim hapësinor është i obliguar që të bëjë hartimin e Hartës Zonale të komunës në përputhje me Hartën Zonale të Kosovës dhe normat teknike të planifikimit hapësinor, nëntë (9) muaj pas miratimit përfundimtar të planit zhvillimor komunal. Më tutje në nenin 16 Ligji për planifikim hapësinor përcakton edhe karakteristikat e Hartës Zonale të komunës e cila i përmban të gjitha sipërfaqet dhe masat e zhvillimit urban që më herët janë rregulluar me planet rregullative.

Duke pasur parasysh se me ligjin e ri komuna është e obliguar që ta hartoj Hartën Zonale të komunës e cila i përmban të gjitha karakteristikat e planit rregullues, INPO vlerëson se tenderi për projektimin e planeve rregulluese për zonën e IV-të dhe V-të të qytetit nuk përputhet me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe si i tillë është dhënë në mënyrë të pa ligjshme.

Për më tepër, INPO vlerëson se komuna e Ferizajt është dashur që të presë rekomandimet që do të dalin nga rishikimi i Planit Zhvillimor Komunal, i cili mund edhe ta ndryshojë vijën urbanistike të qytetit dhe pastaj nëse e nevojshme në përputhje me ligjin e ri për planifikim hapësinor të hartoj Plane Rregulluese të Hollësishme për këto zona, por jo edhe plane rregulluese siq ka bërë tani.

Në fund, duke u mbështetur ne ndryshimet e bëra në Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe arsyeshmërin që këto zona të rregullohen në kuadër të Hartës Zonale e që komuna është e obliguar ta hartojë, INPO rekomandon që komuna e Ferizajt ta anulojë tenderin për hartimin e Planit Rregullues për zonën e IV-të dhe V-të.

INPO i bënë thirrje edhe organeve kompetente si Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit që të ushtrojnë përgjegjësitë e veta në raport me komunën e Ferizajt dhe të parandalojn nënshkrimin e kontratës për hartimin e planeve rregulluese për zonën e IV-të dhe të V-të.