Jo numër, por fuqizim i gruas
09/03/2012Në Ditën ndërkombëtare të gruas, 8 Mars, para se të shpërndajmë urime, na imponohet qëndrimi dhe thirrja: jo margjinalizim, por fuqizim të rolit dhe të pozitës së gruas.
Ky vlerësim revoltues i yni, vije pas një viti të angazhimit të organizatës sonë INPO, për të monitoruar, jo vetëm, në një fushë, por fatkeqësisht në shumë fusha diskriminimin, nëpërkëmbjen dhe margjinalizimin e gruas, duke filluar që nga institucionet, shoqëria dhe familjet tona.
Le të përmendim me këtë rast shifrat shqetësuese të të gjitha raporteve policore për rritjen e dhunës familjare ndaj gruas, pastaj të dhënat për gratë e veja kryefamiljare të lëna pa mbështetje sociale. Mos të harrojmë se tashmë të gjitha faktet flasin se rastet e trafikimit të qenieve njerëzore janë të përmbushura me plot fate tragjike të femrave kosovare. Vetëm gjatë vitit 2010, në Policinë e Kosovës janë deklaruar 764 raste të dhunës ndaj femrave ku femrat janë viktima të dhunës në familje ndërsa në vitin 2011 në vend se kjo shifër të pësonte ulje ajo u rrit në 813.
Duhet të theksojmë se këto shifra përfshijnë vetëm rastet e deklaruara në Polici dhe pa dashur të paragjykojmë shoqërinë tonë arkaike, padyshim se numri i rasteve të dhunës ndaj femrave të cilat nuk janë deklaruar në polici rrit numrin e përgjithshëm të dhunës ndaj femrave në Kosovë. Kjo gjë logjikisht do të duhej të rriste edhe shqetësimin e institucioneve përkatëse për të luftuar këtë dukuri negative.
Rritja e dhunës ndaj femrave në shkallë prej 6.4% (nga viti 2010 në 2011) është një shifër alarmuese për të gjitha institucionet dhe instancat përkatëse, dhe është një tregues i pozitës së gruas në shoqërinë tonë.
Përfaqësimi i grave në proceset vendimmarrëse në Kosovë
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, garanton respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të çdo qytetari pa dallim përkatësie fetare, racore apo gjinore, gjithashtu Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2004 ka miratuar Ligjin për Barazi Gjinore me të cilin garantohet mbrohet, trajtohet dhe vendoset, barazia ndërmjet gjinive si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovës, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve dhe për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore, megjithatë aspekti i përfaqësimit të gruas duke filluar nga legjislativi e deri tek ekzekutivi lë shumëçka për t’u dëshiruar.
Duke u bazuar në ligjet në fuqi të cilat garantojnë barazi gjinore, me anë të një hulumtimi të zhvilluar nga INPO, për zgjedhjet e lokale të mbajtura në Kosovë në vitin 2009, në shtatë Komunat më të mëdha të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan janë nxjerrë disa statistika përmes të cilave vërtetohet se gratë janë pak të përfshira në pozitat vendimmarrëse nëpër të gjitha këto komuna. Ndërsa përbërjet e Kuvendeve Komunale shënojnë përfaqësim më të mirë të gruas, falë respektimit të kuotës së 30 përqindëshit.
Shumica e Kuvendeve Komunale të komunave më të mëdha në Kosovë, gjatë vitit 2011 i kanë formuar grupet joformale të grave. Edhe pse nuk e kanë të obliguar, por ky duket të jetë një hap i vonshëm, duke ditur qëllimin e grupeve joformale e që është ngritja kualitative dhe kuantitative e pjesëmarrjes në proceset e vendimmarrjes, gjithashtu njëri ndër objektivat e këtyre grupeve është ngritja e vetëdijes shoqërore për rolin dhe rëndësinë e përfshirjes së gruas në vendimmarrje dhe në të gjitha proceset e jetës publike. Këto grupe të formuara përgjithësisht nuk kanë bërë ndonjë hap konkret për fuqizimin e pozitës së gruas në komunat përkatëse.
Vlerësimet tona dëshpëruese vijnë në kohën kur Kosova ka fituar kryetaren e parë femër dhe kur pritej se kjo gjë nuk do të mbetej vetëm një simbolikë, por kjo zgjedhje do të bëhej frymëzim dhe fuqizim i gruas, gjë që nuk ka prodhuar efektet e pritura.
Le të kujtojmë se në asnjë komunë nuk ka një kryetare apo dhe nënkryetare femër, kurse shifrat tregojnë se ne nivel ekzekutiv nga gjithsej 86 drejtori në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës vetëm 10.4% udhëhiqen nga gjinia femërore. Nuk kemi si të mos e theksojmë rastin e komunës së Mitrovicës kur nga 13 drejtori, asnjëra nuk udhëhiqet nga ndonjë femër!
Kjo përqindje e vogël tregon se asnjë komunë nuk ka hjekë dorë nga qëndrimet patriarkale. Në vend të respektimit të ligjeve dhe zgjerimit të së drejtës së gruas, për të qenë edhe pjesë e vendimmarrjes, pra në vend të zbatimit të ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit të Punës, sot e asaj dite, prej viti në vit femra vazhdon të shikohet herë si “kuotë demokratike” e herë si simbol i marketingut të show-bizneseve.
Të mos harrohet se numri më i madh i të papunëve, qoftë i deklaruar apo i fshehur në Kosovë është numri i femrave, ndërkaq edhe kur femrat punësohen i pret shantazhi, pagesa e ulët si dhe oraret e gjata të punës.
• Praktika Evropiane
Në këtë ditë të luleve dëshirojmë të shikojmë përtej simbolikave rutinore, duke kërkuar një përgjegjësi të drejtpërdrejt të institucioneve për të kultivuar një qasje të barabartë gjinore përtej parashikimeve dhe përtej “uzurpimeve” patriarkale. Një ditë përkujdesje mediatike për gruan nuk mjafton përballë një viti diskriminues dhe mohues, andaj le t’i përmbysim raportet që na ulin imazhin para vendeve të avancuara, të fillojmë të mendojmë për femrat tona të fillojë t’ua japim vendin që u takon.
Nuk mjafton që fjalori i politik-bërësve tanë të “vlon” nga gatishmëria për integrime evropiane, e në anën tjetër të mos merret asnjë praktikë evropiane si model për përfaqësimin e gruas. Nuk mund të paramendojmë sesi ndjehen “burrat” tanë kur shtrëngojnë duart me zonjat Klinton, Merkel apo Ashton, a kanë frikë se mund të pyeten nga ato për koleget e tyre kosovare.
Në Evropë, nuk mund të integrohemi me mentalitete diskriminuese ndaj gruas.
Duhet pasur parasysh se duke e fuqizuar pozitën e femrave brenda partive që veprojnë në Kosovë rrjedhimisht do të forcohet edhe pozita e femrave në të gjitha institucionet shtetërore. Andaj diskriminimi si trajtim i dëmshëm në bazë të anëtarësimit të tyre në një grup ose kategori të caktuar duhet t’i vihet fundi sepse tashmë është fakt i pranuar botërisht se barazia gjinore në të vërtetë është një dimension i rëndësishëm në luftën kundër varfërisë dhe në zhvillimin ekonomik të një vendi.