Jepet prona publike jashtë procedurave të rregullta ligjore

02/12/2015

Ferizaj, 2 dhjetor 2015 – Organizata INPO reagon ashpër ndaj praktikave të mbrapshta të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për interesa të caktuara parciale dhe jo në interes të komunës dhe të qytetarëve në përgjithësi.

INPO njofton opinionin publik se komuna e Ferizajt gjatë javës që lamë pas, i ka dhënë në shfrytëzim (me qira) katin e parë të objektit të QKMF-së në Ferizaj Spitalit Ndërkombëtar Indian të Syrit duke mos e respektuar Ligjin Nr.04/L-144 për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës si dhe rregulloren QRK Nr. 23/2013 Për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimit të Pronës së Paluajtshme të Komunës, akte këto që precizojnë saktë mënyrën e dhënies në shfrytëzim të pronës komunale si dhe procedurën të cilën duhet ndjekur komuna lidhur me këto çështje.

Dhënia në shfrytëzim e pronës komunale bazohet në parimin e ligjshmërisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë të palëve, parimin e transparencës dhe parimin e ruajtjes dhe garantimit të interesit publik, të cilat mundësohen duke i zbatuar aktet e lartcekura nga ana e komisionit vlerësues komunal. Mirëpo, Komuna e Ferizajt dhënien me qira të katit të parë të QKMF-së e ka realizuar me procedurë të prokurimit publik, procedurë kjo e cila nuk kërkohet me Ligjin Nr.04/L-144 për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Gjithashtu, Ligji Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, neni 3, i ka përjashtuar qiratë nga fushëveprimi i tij.

Mirëpo, në kuadër të legjislacionit sekondar për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës, ekziston një dokument, i cili përcakton rregullat për shtije dhe heqje të aseteve, i cili jep të drejtë autoritetit kontraktues, në këtë rast komunës, të zhvilloj aktivitete të prokurimit duke e përfshirë qiradhënien dhe qiramarrjen, i cili dokument bie në ndesh me Ligjin Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik dhe si i tillë ka nxitur debate të shumta lidhur me paqartësitë në përkufizimin e “heqje/shitje” të aseteve.

Në këtë drejtim, komuna e Ferizajt, nuk është dashur fare ta aplikoj procedurën e prokurimit, konkretisht, ankandin publik, bazuar në dokumentin “Rregullat për Shitje dhe Heqje të Aseteve” pasi që është non sens i llojit të vet që aktet nënligjore apo legjislacioni sekondar të ketë fuqi më të madhe juridike sesa vet ligji.

Megjithatë, INPO gjatë hulumtim të çështjes, ka gjetur shkelje edhe në procedurën e prokurimit (ankandit publik) që nga ftesa për ofertim e deri të nënshkrimi i kontratës. Fillimisht, ftesa për ofertim për dhënie me qira të objektit të QKMF, e cila është publikuar në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), ka përmbajtur kritere diskriminuese. Në nenin II të ftesës, komuna e përcakton kriterin e dhënies me qira, “qendër për trajtimin e syrit” dhe në nenin III të ftesës, komuna paraqet kërkesat minimale për kualifikim, gjithashtu duke vendosur kritere diskriminuese, si: furnizimi me pajisje në vlerë së paku 1 milion euro dhe ofertuesit të kenë marrëveshje me së paku tre specialistë për trajtimin e syrit. Vendosja e këtyre kritereve në ftesën për ofertim, është shkelje e parimeve të barazisë në trajtim dhe diskriminuese për ofertuesit e tjerë potencial, për të marrë në shfrytëzim objektin e QKMF-së. Për me tepër, në regjistrin e operatorëve ekonomik të cilët i kanë pranuar dosjen e ankandit, figuron Spitali Ndërkombëtar Indian i Syrit dhe një kompani tjetër e quajtur “Toshiba”, ndërsa në regjistrin e dorëzimit të ofertave figuron vetëm Spitali Ndërkombëtar Indian i Syrit, i cili edhe e ka fituar kontratën. Tutje, në bazë të hulumtimeve, INPO ka gjetur se Spitalin Indian dhe kompaninë “Toshiba” i udhëheq i njëjti person. Rrjedhimisht, shprehja e interesimit e gjoja dy kompanive në ofertën e komunës është bërë sa për të thënë se ka pasur edhe të tjerë të interesuar për marrjen me qira të QKMF-së. Për më tepër, pavarësisht këtyre shkeljeve që janë bërë në procedurë, në kontratën e dhënies me qira, figuron se komuna do të ja paguaj Spitalit Inidian të gjitha shpenzimet e ujit, mbeturinave dhe ngrohjes qendrore.

Në këtë drejtim, është për të ardhur keq se si komuna angazhohet në maksimum duke i përdorur të gjitha mundësitë që të instaloj një spital privat brenda institucionit publik shëndetësor, duke u arsyetuar në nevojën e qytetarëve të Ferizajt për trajtim të syve, pa publikuar asnjëherë statistika lidhur më numrin e pacienteve që vuajnë nga sëmundjet e syrit, rasteve më të rënda të sëmundjeve të syrit dhe statistika të tjera relevante dhe mbi të gjitha, të marrë përsipër shpenzimet të ujit, mbeturinave dhe ngrohjes qendrore pavarësisht buxhetit të varfër të komunës.

INPO i rikujton Kryetarit të Komunës se është nën përgjegjësinë e tij kryesore garantimi i zbatimit të ligjeve në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe menaxhimit efikas të pasurisë komunale duke shfrytëzuar gjithë legjislacionin pozitiv, përfshi Ligjin për Partneritet Publiko Privat dhe të shqyrtojë mundësitë më të mira që shkojnë në dobi të interesit të qytetarëve.

Andaj, INPO shpreh indinjatë të thellë për të gjitha këto shkelje dhe veprime të mbrapshta të zyrtarëve të komunës së Ferizajt dhe i bën thirrje Kryetarit që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të respektuar ligjin. INPO në bazë të gjetjeve dyshon me arsye se i gjithë ky proces ka qenë i orkestruar ekskluzivisht që të realizohen interesa të caktuara të individëve të caktuar.