INPO u bënë thirrje tetëmbëdhjetë vjeçarëve që të votojnë

27/04/2012

Të rinjve të qytetit të Ferizajt, respektivisht atyre të cilëve për herë të parë do të votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës sot u është bërë thirrje përmes shpërndarjes së fletushkave me mesazhe inkurajuese që ditën e Diel me datë 29 Prill të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë.

INPO, përmes këtij aktiviteti ka vetëdijesuar maturantët e shkollave të mesme të cilët kanë mbushur 18 vjet që të ushtrojnë të drejtën e tyre të garantuar me ligj.

Përmes motos “Shkrepe Votën” dhe “Mos i lë të tjerët të vendosin për ty, pa ty” INPO i ka treguar të rinjve se dalja në votim është një nga mënyrat e drejtpërdrejta të pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje dhe se përmes zgjedhjeve çdo i ri ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Prandaj kjo është mënyrë direkte e zgjedhjes së përfaqësuesve të cilët përfaqësojnë interesat e të rinjve.

KQZ-ja në gjatë këtyre ditëve të fushatës ka lansuar një fushatë për informimin e qytetarëve ferizajas se “Si të votojnë?” por asnjëherë nuk ka orientuar tetëmbëdhjetë vjetarët se si të votojnë për herë të parë. Maturantët kanë pasur dilema dhe nuk kanë ditur se në cilën qendër- votimi do të duhet të shkojnë për të votuar të dielën.

Fletushka e INPO-s përpos të tjerave ka informuar të rinjtë se informatat për vendin e votimit mund t’i gjejnë në KKZ. Mbi të gjitha të rinjtë janë informuar se sa i rëndësishëm është vendimi të cilin ata marrin dhe se besimi i tyre për kandidatin të cilin e votojnë do të jetë përgjegjësi për të.