INPO reagon ndaj incidentit të e ndodhur në Kuvendit Komunal të Hanit të Elezit.

26/05/2011

INPO përmes kësaj komunikate reagon për incidentin e ndodhur sot gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal të Hani i Elezit.

Konflikti verbal mes këshilltarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Zylbehar Hasallari dhe inspektorit të tregut z. Fari Shkreta, tejkalon çdo normë të sjelljes profesionale dhe etikës së punës.
Nuk është hera e parë që në Kuvendin e Komunës së Hanit të Elezit ndodhin incidente të tilla dhe përdoret gjuhë jo parlamentare nga ana e anëtarëve të kuvendit dhe ekzekutivit.

Diskutimet në kuvend shumicën e herëve kalojnë në rrafshin personal dhe nuk ka konstuktivitet dhe diskutim profesional të pikave të rendit të ditës.

Kryesuesi i Kuvendit ka për detyrë dhe përgjegjësi që të siguroj mbarëvajtjen e mbledhjes konform ligjit për vetëqeverisje lokale, rregullores së punës dhe kodit të mirësjelljes.

Është për të ardhur keq që institucioni më i lartë vendimmarrës në Komunë – Kuvendi, të përdoret për sharje, fyerje dhe ofendime tjera në baza personale, në vend se të shërbej për atë që edhe është i thirrur, përfaqësimin e interesave të qytetarëve që i përfaqëson.

Kërkojmë nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Hanit të Elezit, partive politike dhe anëtarëve të përfaqësuar në të, si dhe anëtarëve të ekzekutivit që të jenë konstruktiv në punën e tyre dhe të zbatojnë parimet bazë të demokracisë në institucione publike dhe gjuhë adekuate parlamentare, e të mos degradojnë në nivele të tilla të ulëta, sikurse në mbledhjen e fundit, institucionin e Kuvendit Komunal, organin më të lartë përfaqësues në Komunë.