
INPO reagon kundër shkelejve ligjore në konkursin për Drejtor të AQP-së dhe kërkon që konkursi të rishpallet
19/08/2024Organizata INPO reagon kundër shkeljeve ligjore në konkursin e shpallur me nr.ref. RN00014620 nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFTP) për pozitën Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik dhe kërkon që i njëjti të rishpallet.
Organizata INPO, në kuadër të monitorimit të rregullt të punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, ka identifikuar parregullsi dhe mospërfillje të dispozitave ligjore me rastin e shpalljes së pozitës për Drejtor Ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik. Parregullsitë e konstatuara përbëjnë veprime në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurim Publik dhe Ligjit NR. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, përkatësisht konsistojnë në anashkalimin e kritereve ligjore kualifikuese për pozitën e shpallur, kohëzgjatjen e mandatit, si dhe në aspekte procedurale lidhur me publicitetin e këtij procesi.
Nga analiza e përputhshmërisë së normave ligjore me elementet e shpallura në konkurs, INPO ka gjetur se MFTP-ja ka tejkaluar dispozitat ligjore për kriteret kualifikuese, duke lënë anash kriterin themelor të përvojës së punës në fushën e prokurimit. Kjo ka rezultuar në mospërmbushjen e një prej kritereve kryesore funksionale, duke konsumuar shkelje të nenit 96 paragrafi 5 të Ligjit për Prokurim publik, sipas të cilit kandidati për këtë pozitë të ketë “përvojë të konsiderueshme në prokurim”. Më saktësisht, në njoftimin për shpalljen e pozitës, si kërkesë e përgjithshme formale është përcaktuar përvoja e përgjithshme menaxheriale.
Mosrespektimi i kërkesave ligjore vërehet gjithashtu në raport me kohëzgjatjen e mandatit të Drejtorit të kësaj Agjencie, ku mandati është paraparë të jetë 4 vite. Ky përcaktim bie ndesh me dispozitat e ligjit special, respektivisht nenin 96 parag.1 të Ligjit për Prokurim Publik. Duke marrë parasysh se sipas këtij neni drejtori i AQP-së “emërohet për një periudhë tre (3) vjeçare, kjo situatë kërkon rregullimin e menjëhershëm të afateve, që të sigurohet përputhshmëri e plotë me kërkesat ligjore.
Tutje, INPO vlerëson se transparenca e këtij procesi është vënë në dyshim për shkak të mënyrës së përdorur për shpalljen e konkursit. Ndryshe nga sa përcaktojnë provizionet ligjore, konkursi është shpallur vetëm në platformën e SIMBNJ-së, ndërkaq MFTP-ja nuk ka përfillur rregullin e publikimit në Ueb-faqen zyrtare të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, apo në ndonjë mjetet e informimit, përfshirë rrjetet sociale. INPO vlerëson se një qasje e tillë cenon zbatimin e dispozitave nga neni 81 i Ligjit për Zyrtarët Publik, kufizon konkurrencën dhe nuk përkon me praktikat e transparencës dhe qeverisjes së mirë.