INPO publikon raportin: Procesi i prokurimit dhe menaxhimi i kontratave në njëzetë (20) komuna të Republikës së Kosovës

05/04/2022

Prishtinë, 5 prill 2022 – Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, me mbështetje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), sot nëpërmjet konferencës për media ka publikuar raportin me titull “Procesi i prokurimit dhe menaxhimi i kontratave në njëzetë (20) komuna të Republikës së Kosovës”.

Qëndrim Arifi, Hulumtues i lartë në INPO, potencoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se përkundër që është obligim ligjor e profesional që aktivitetet e iniciuara të jenë të parashikuara me plan të prokurimit, autoritetet kontraktuese vazhdojnë që të shkelin këto dispozita ligjore. Të dhënat tregojnë se nga njëzetë (20) komunat e monitoruara, katërmbëdhjetë (14) nga to kanë iniciuar aktivitete të paplanifikuara. Rezultatet e hulumtimit gjithashtu tregojnë se komunat në masë të madhe janë duke e aplikuar mundësinë ligjore të shkurtimit të afateve për pranimin e tenderëve, ani pse arsyet janë të pabazuara në ligj dhe të pajustifikueshme. Në fakt dhjetë (10) nga njëzetë (20) komunat e monitoruara kanë shkurtuar afatet për pranimin e tenderëve dhe rezultatet kanë qenë se ofertat e operatorëve ekonomik kanë qenë në numër shumë më të vogël se sa mesatarja në një procedurë me afate të rregullta.

Tutje, Arifi theksoi se të gjeturat e hulumtimit tregojnë se këto kërkesa të kundërligjshme i kanë aplikuar Komuna e Gjilanit, Prishtinës, Suharekës dhe Vitisë. Hulumtimi vë në pah situatat kur komunat janë duke e keqpërdor procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, procedurë kjo e lejuar vetëm në raste të urgjencave ekstreme, ndërsa pabazë të mjaftueshme ligjore kjo procedurë është aplikuar nga Komuna e Dragashit, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Podujevës dhe Shtimes.

Hulumtuesi i INPO-s, z. Diell Haxhimusa potencoi se pjesë e rëndësishme e hulumtimit ka qenë edhe ajo se vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomik a bëhet në bazë të kritereve më të larta ligjore dhe profesionale. Të dhënat dëshmojnë se në disa raste vlerësimi i ofertave nuk ka qenë profesional dhe si pasojë e joprofesionalizmit tenderi në fjalë është dashur të ri-vlerësohet apo anulohet pas kërkesës për rishqyrtim dhe ankesës së OE-së në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Tutje, Haxhimusa sqaroi se monitorimi i procesit të prokurimit, përfundon duke pasqyruar një dukuri shumë të dëmshme e cila rezulton në atë se autoritetet kontraktuese eliminojnë operatorët ekonomik të cilët ofrojnë çmimin më të lirë, me pretekstin se të njëjtit janë të papërgjegjshëm. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se këtë veprim e kanë bërë Komuna e Gllogocit, Gjakovës, Kaçanikut, Prishtinës dhe Rahovecit.

Ndërsa, sa i përket aspektit të menaxhimit të kontratave hulumtuesi i INPO-s, shpjegoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se Komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Suharekës dhe Vitisë kanë mangësi në përpilimin e Planit të Menaxhimit të Kontratës, përkatësisht këto plane nuk i përmbajnë të dhënat minimale të kërkuara me ligj.

Komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Mitrovicës së Veriut, Shtimes dhe Vitisë, pas hulumtimeve të INPO-s, rezulton që kanë ekzekutuar pagesa në kundërshtim me afatet ligjore, përkatësisht pagesat i kanë ekzekutuar më vonë se sa afati tridhjetë (30) ditor i paraparë me ligj. Në kuadër të menaxhimit është hulumtuar edhe ajo se a përmbushen kontratave brenda afateve kohore të kontraktuara, ndërsa rezultatet tregojnë se në trembëdhjetë (13) nga njëzetë (20) komunat e monitoruara, punët nuk përfundohen brenda afateve kontraktuale, ndërsa ka raste kur ato zgjasin shumëfish më gjatë.

Monitoruesja e INPO-s, znj. Arbenita Topalli, theksoi se si pjesë e pashmangshme e menaxhimit të kontratës, INPO ka aplikuar edhe daljen në terren, përkatësisht vizita në vendin e ekzekutimit të kontratave. Gjatë vizitave në terren në tri (3) kontrata të cilave koha e implementimit të përmbushjes ju ka skaduar, punëtorët nuk janë hasur në vend punishte. Bëhet fjalë për Komunën e Gllogocit, Kaçanikut dhe Prishtinës, ndërsa punëtorët nuk janë hasur as në vendin e ekzekutimit të kontratës në Ferizaj dhe Gjakovë, sidoqoftë në këto dy (2) kontrata koha e implementimit ende nuk ka skaduar.

Sipas znj. Topalli, dalja në terren ka dëshmuar se komunat ekzekutojnë pagesa pa përfunduar punët si dhe ekzekutojnë pagesa edhe përkundër që furnizimet, shërbimet apo punët i kanë pranuar në kundërshtim me kontratë dhe paramasë. Në fakt të gjeturat rezultojnë se Komuna e Ferizajt, Kaçanikut dhe Suharekës, kanë ekzekutuar pagesa pa pranuar furnizimin, shërbimin apo punën e caktuar, përkatësisht kanë pranuar punën në kundërshtim me paramasën. Monitorimi në terren ka shpërfaqë gjithashtu edhe cilësinë e dobët të punëve të realizuara, nga vizita e projekteve të përfunduara dhe atyre që janë në proces, INPO ka evidentuar cilësi të dobët të punëve në Komunën e Ferizajt, Klinës, Rahovecit dhe Shtimes.

Në fund znj. Topalli rekomandoi që komunat aktivitetet e iniciuara t’i kenë të planifikuara, të përdorin procedura të hapura të prokurimit, të mos parashtrojnë kërkesa diskriminuese dhe favorizuese dhe vlerësimi i ofertave të bëhet në mënyrë profesionale.

Komunat të sigurohen që nuk ekzekutojnë pagesa pa përfunduar punët si dhe të kujdesen që furnizimi, shërbimi dhe puna e kontraktuar të jetë konformë paramasës dhe kushteve të kontratës.

Konferenca përfundoi me rekomandimin që komunat të kujdesen se furnizimet, shërbimet dhe punët e pranuara nga operatorët ekonomik të jenë cilësore dhe në rast se ndodh e kundërta të aplikojnë masat ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm.

Për më shumë shih raportin:https://inpo-ks.org/wp-content/uploads/2022/04/Raport-3-INL-p%C3%ABr-publikim-n%C3%AB-web-1.pdf