INPO organizoi tryezën: Gruaja në Procesin Zgjedhor

24/04/2012

Sot në Ferizaj derisa po zhvillohet fushata për Zgjedhje të Jashtëzakonshme për Kryetar të Qytetit, Iniciativa për Progres INPO mbajti tryezën me temë Gruaja në Procesin Zgjedhor.

Në mesin e tetë kandidatëve për Kryetar komune asnjëri prej tyre nuk është grua, kjo është edhe arsyeja që nxiti debatin. Qëllim themelor i debatit ishte diskutimi mbi rolin e gruas në politikë dhe pyetja pse asnjë parti politike nuk kishte kandiduar një grua për Kryetare të Ferizajt.

Pjesëmarrës në këtë debat ishin përfaqësuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës (Mirlinda Bytyçi- Rexhepi dhe Shqipe Vranovci), të Vetëvendosjes ( Arta Tahiri dhe Naim Jahaj), përfaqësuese e Partisë Demokratike të Kosovës ishte deputetja Lumnije Azemi Morina, gjithashtu përfaqësues të shoqërisë civile duke përfshirë OSCE (Sahadete Tërnava), Caritas Kosova (Fortësë Frangu), sfera e biznesit me përfaqësuese Rafete Haziri- KEP e analisten Dije Demiri. Përkundër faktit se në tryezë ishin të ftuar edhe përfaqësues të subjekteve tjera politike garuese për Zgjedhjet për Kryetar ato nuk e kishin parë të arsyeshme që të dërgonin ndonjë përfaqësues. Kjo më së mirë mund të tregojë vullnetin e këtyre subjekteve për avancimin e pozitës së gruas në instancat e tyre partiake, e lërë më t’i krijojnë gruas hapësirë dhe ta inkurajojnë për kandidate për Kryetare.

Tryeza filloi me diskutimin mbi pyetjen se pse Ferizaj nuk ka asnjë kandidate grua për Kryetare. Në prononcimet e tyre përfaqësueset e partive politike, LDK dhe VV theksuan disa nga arsyet kryesore pse gratë nuk kanë role vendimmarrëse në shoqërinë tonë. Disa nga arsyet ishin: Mungesën e vetiniciativës, mungesa kurajës për kandidim mirëpo gjithmonë duke u kufizuar nga barrierat e faktorëve të tjerë si mos mbështetja dhe inkurajimi nga kolegët e tyre meshkuj. Të gjitha partitë politike të pranishme pranuan se gruaja nuk ka qenë as alternativë për kandidate të mundshme. Kjo situatë u vlerësua si shumë e dhimbshme pasi gratë kanë kapacitete dhe përvoja të mjaftueshme për të qenë në krye të një qyteti. Analistja Dije Demiri shpjegoi tri arsyet se pse një grua duhet të jetë në pozita vendimmarrëse: 1. Gruaja korruptohet më pak, 2. Janë komunikuese dhe 3. Posedojnë agresivitetin e mjaftueshëm që të jenë në politike si dhe esenca e demokracisë është pjesëmarrja e gruas në politikë.

Debati u shtri edhe në suaza të diskutimit mbi kuotën përfaqësuese të grave. Përderisa deputetja Lumnije Azemi Morina tha se kuota është e nevojshme në rrethanat në të cilat ndodhet shoqëria jonë dhe ndihmon gruan që të jetë e pranishme në aktivitete politike, Shqipe Vranovci nga LDK- ja pati mendim tjetër mbi kuotën duke e konsideruar atë si një pengesë për konkurrencë të denjë të grave karshi burrave në politikbërje.

Rafete Haziri tregoi shembuj të suksesit të grave në sferën e biznesit duke shprehur keqardhje për mos promovimin e këtyre sukseseve në media. Përfaqësuesja OSCE-ja tregoi përvojën e saj në monitorin të Kuvendeve Komunale të “burrave” duke apeluar për involvim më të madh të numrit të grave në politikat vendimmarrëse njëherazi për inicimin e më shumë debateve të karakterit të tillë.
Përfaqësuesja e Caritas Kosovës foli mbi gatishmërinë e shoqërisë civile për përkrahjen e grave që pozita vendimmarrëse duke ofruar shembuj konkret nga rezultatet e arritura nga femrat në pozita vendimmarrëse në shoqëri civile si dhe në politikë ndërkombëtare.

Një ndër pikat kyqe të debatit ishte edhe funksionimi i grupeve formale të grave brenda partive politike, grupe këto të cilat sa krijojnë një bërthamë të grave në partitë politike aq edhe shihen si diskriminuese, në lidhje më këtë pati propozime për shuarje të grupeve formale.

Rekomandimet të cilat dolën nga ky debat ishin:

Mbështetja e grave për gjininë e vet që të kandidojnë për udhëheqjen e pozitave vendimmarrëse, të kandidojnë për Kryetare qyteti
Shuarja e grupeve formale të grave të cilat ekzistojnë në shumicën e partive politike
Fuqizimin e rolit të gruas brenda partisë dhe njëherit në sferat e tjera të politikë bërjes