INPO mbanë tryezë diskutimi me të cilin publikon analizën “Shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit publik”

07/11/2023

Prishtinë, 7 nëntor 2023

Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund, sot nëpërmjet tryezës së diskutimit ka publikuar analizën “Shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit publik” në të cilin raport shfaqen të gjeturat rreth monitorimit të Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Ferizajt për vitin 2022 dhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023.

Konferenca u moderua nga z. Nexhat Tovërlani, Gazetar. I njëjti pasi hapi tryezën duke përshëndetur të pranishmit, trajtoj tematikën e analizës me bazë në prokurim publik dhe dokumente të cilat kanë qenë në metodologjinë e analizës dhe njëkohësishtë duke rikujtuar edhe agjendën për pjesëmarrësit në tryezë.

Tryeza vazhdoj me një fjalë rasti nga, znj. Albulena Nrecaj, Drejtore Ekzekutive në INPO, e cila duke shpjeguar fushëveprimtarinë e organizatës INPO tregoi gjithashtu për të pranishmit tematikën e trajtuar.

Tutje, znj. Nrecaj potencoi se kjo analizë synon të nxisë angazhimin e zyrtarëve në këto institucione që të mos ketë në të ardhmen mospërputhje në mes të planeve të prokurimit, buxhetit dhe kontratave të nënshkruara.

Tryeza vazhdoj me publikimin e analizës nga znj. Leorenta Alija, Hulumtuese e Lartë në INPO e cila theksoj se aspekte kyqe të analizuara janë: Buxheti, Plani Përfundimtar i Prokurimit dhe Raporti i Kontratave të Nënshkruara Publike. Tutje theksoi se buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2023 është rritur për 16.55 % në tërësi, ndërsa vetëm për investime kapitale për vitin 2023 buxheti është 29.41% më i lartë se sa viti paraprak. Rrjedhimisht, vërehet qartë se rritja më e lartë i është dedikuar kategorisë së investimeve kapitale. Ndërsa buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2023 është rritur për 12.28 %, ndërsa vetëm për investime kapitale për vitin 2023 buxheti është 12.64% më i lartë se sa viti paraprak, e cila rritje është pothuajse identike me rritjen e përgjithshme të buxhetit. Ndërsa sa u përket kategorive buxhetore, për dallim nga Komuna e Prishtinës, Komuna e Ferizajt, rritjen më të lartë e ka për kategorinë mallra dhe shërbime, me 35.78%.

Znj. Alija tutj theksoi se Komuna e Prishtinës përveç nga numri i projekteve, ka një dallim esencial edhe në mes të vlerës totale të buxhetit të dedikuar për projekte kapitale dhe vlerës së parashikuar të projekteve kapitale të parapara me plan përfundimtar të prokurimit. Përderisa në vitin 2022 vlera totale e projekteve kapitale të parapara me plan të prokurimit është 1,780,744 euro apo 5.71% më pak sesa buxheti i dedikuar për këtë kategori, në vitin 2023 ndodh e kundërta, ku me plan të prokurimit vlera e projekteve kapitale shkon në 48,008,005.60 euro, apo 118.9% më shumë sesa buxheti i dedikuar për projekte kapitale për këtë vit.

Znj. Alija shtoi se gjithashtu, edhe tek Komuna e Ferizajt ekziston një dallim mjaftë i lartë në mes të buxhetit të dedikuar për projekte kapitale i cili figuron në buxhet dhe vlerës së parashikuar të projekteve kapitale të parapara me plan përfundimtar të prokurimit. Këto të dhëna krahasimore i gjeni në tabelën në vazhdim. Të dhënat dëshmojnë se edhe Komuna e Ferizajt planifikimin e prokurimit nuk e ka të bazuar në buxhetin e saj. Në vitin 2022 të dhënat tregojnë se planifikimi për projekte kapitale ka qenë më i lartë se buxheti për 5,526,377 euro, apo 51.38%, ndërsa në vitin 2023 për 6,428,845 euro, apo 53.06%.

Znj. Alija shtoi të gjeturat se: Komuna e Prishtinës dhe Ferizajt pothuajse 40% të buxhetit vjetor e kanë të dedikuar për investime kapitale; Projektet kapitale të Komunës së Prishtinës dhe Ferizajt të buxhetuara dhe të planifikuara me plan të prokurimit dallojnë shumë, si për nga numri, ashtu edhe për nga vlera; Asnjëra nga komunat e monitoruara nuk kanë arritur që të realizojnë të gjitha projektet e buxhetuara dhe të planifikuara; Komunat nuk arrijnë që t’i planifikojnë me plan të prokurimit të gjitha projektet e buxhetuara, për pasojë një numër i konsideruar i tyre mbesin jashtë planifikimit të komunave.

Alija rekomandon që Komuna e Prishtinës dhe Ferizajt të kujdesen që buxhetin e dedikuar për projekte kapitale ta planifikojnë dhe shpenzojnë në bazë të ligjit dhe në mënyrë profesionale; Komuna e Prishtinës dhe Ferizajt të kujdesen projektet kapitale të buxhetuara si për nga numri, ashtu edhe për nga vlera të përputhen edhe me planin e prokurimit; Komuna e Prishtinës dhe Ferizajt të sigurohen se projektet kapitale të buxhetuara dhe planifikuara të gjejnë zbatim, sepse janë të një rëndësisë shumë të madhe për qytetarët; Komuna e Prishtinës dhe Ferizajt të kujdesen se të gjitha projektet kapitale të buxhetuara ashtu siç kërkohet me dispozita ligjore  t’i vendosin edhe në plan përfundimtar të prokurimit.

Pas përfundimit të publikimit të raportit, u hap tryeza nga z. Tovërlani, në të cilën Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik, z. Osman Vishaj, përshëndet të pranishmit, dhe falenderoj organizatën për ftesën. Gjithashtu ndër të tjerash prezantoi shkurt punën e KRPP-së, dhe për të pranishmit prezenton disa të dhëna statistikore për buxhetin i cili shpenzohet përmes prokurimit publik.

Tutje z. Vishaj, përmend sfidat dhe problemet të cilat vijnë nga keqplanifikimi i njësive të kërkesës në Komuna e gjithashtu sfidat si përgatitje jo e duhur e paramasave, si dhe sfidat nga mosmenaxhimi i duhur i kontratave, mungesen e inxhinierëve. Tutje i njëjti përmendi anët pozitive të platformës e-prokurimi.

Drejtoreshë e Financave në Komunën e Ferizajt, znj. Sebahate Ajeti – Sadiku,, falenderon INPO-n për punën, dhe ndër të tjerash përmend sfidat që i kanë komunat në aktivitetet e prokurimit e në veçanti njësitë e kërkesës në përgatitjen e paramasës,

Tutje znj. Ajeti – Sadiku, shtoi se sa i përket Ferizajt, ne i japim prioritet kontratave aktuale, ndërsa theksoi problemet dhe sfidat që i kanë pasur në vitin 2022 në mungesë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ndërsa si shkak i trendit të rritjes së çmimeve e njejta theksoi se në vitin 2023 kemi pasur raste të shpeshta kur ofertat kanë qenë më të larta së kërkesa e komunës.

z. Nexhmi Mekolli nga Zyra e Prokurimi në Komunën e Prishtinës, duke falenderuar organizatën për bashkëpunimin e vazhdueshëm, theksoi faktin se Komuna e Prishtinës ka një buxhet shumë më të madh se komunat e tjera të Kosovës,

z. Mekolli, shtoi tutjese gjatë vitit 2022 edhe përkundër sfidave me bordin e OSHP-së kemi arritur që planin prokurimit ta realizojmë në 70%, ndërsa tani në 2023 jemi në 70% deri 75% në realizimin e planit të prokurimit.

znj. Arbërie Topalli, Udhëheqëse e Zyrës së Prokurimit në Ferizaj falenderon INPO-n për ftesën. Tutje pajtohet me parafolësin për ato që u thanë në lidhje me rritje të çmimeve për shkak të dokurisë së inflacionit, andaj aty ku kemi mundur ne kemi vazhduar me nënshkrim të kontratave.

znj. Topalli, shtoi githashtu se për procedurat që nuk janë në Plane të Prokurimit i kemi përcjellur në AQP, dhe theksoi faktin se ne si komunë ballfaqohemi më probleme të vazhdueshme dhe të njejta në lidhje me procedurat e prokurimit.

z. Feim Osmani, Anëtar i Kuvendit Komunal në Prishtinë nga LVV, falenderon organizatën për për paraqitjen e të dhënave nga prezantimi i analizës dhe gjithashtu flet për procesin e prokurimit dhe problemet që mund të rrjedhin nga mosplanifikimi i duhur.

Sipas z. Osmani, faji kryesor është tek ndryshimi i ekzekutivit i cili pastaj shkakton ndryshim të projekteve në komunë. Tutje si sfidë thekson projektet në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, të cilat më pastaj rezultojnë me keqplanifikim.

z. Ajet Brajshori, Anëtar i Kuvendit Komunal në Prishtinë nga LDK, theksoi se shpenzimi i mjeteve është përgjegjësi dhe është shumë e rëndësishme një planifikim i duhur, e për të cilin do të duhen të jenë të përfshirë shumë akter kompetent

z. Brajshori, shtoi se duhet të punohet me një metodologji më të përbashkët dhe të ketë një afat kohor për realizimin e punëve në terren. I njëjti u pajtua se në Komunën e Prishtinës në vitin 2023 kemi një përmbushje të planifikimit të prokurimit deri 75%.

z. Sami Boroci, Anëtar i Kuvendit Komunal në Prishtinë nga AKR falenderon organizatën INPO për monitorimin e prokurimit në Komunën e Prishtinës.

z. Boroci shtoi se Komuna e Prishtinës sfiden kryesore duhet të tejkaloj e që është planifikimi jo duhur. Tutje i njëjti temën e analizës e ndërlidhë më kontratën e Komunës së Prishtinës për “Shërbimet e Arkitektit të Kryeqytetit”.

znj. Rajmonda Zhdrella, nga Emisioni 038 në KTV, falenderon INPO-n për ftesën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. E njëjta deklaroi që kërkon më shumë përgjegjësi nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe theksoi se duhet të ketë më shumë diskutime publike me qytetarë kur mbahen dëgjimet buxhetor.

znj. Zhdrella, vëri në pah numrin e ulët të qytetarëve gjatë dëgjimeve buxhetore në Komunën e Prishtinës dhe ndërlidhur me këtë kërkon më shumë organizime nga komuna për diskutime publike kur mbahen dëgjimet buxhetore.

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt z. Albion Sherifi, falenderon INPO-n për punën dhe për monitorimin e vazhdueshëm që bënë në Komunën e Ferizajt. Theksoi se duhet të bëhet një ndarje e projekteve të cilat janë projekte të një vjeçare dhe shumë vjeçare dhe gjithashtu u pajtua me parafolësit rreth sifdës së komunës nga rritja e çmimeve. Tutje theksoi nevojën e trajnimit dhe rritjes së stafit që merret me prokurim në Komunën e Ferizajt.

z.Sherifi, shtoi se në aspektin ligjor duhet të punohet më më shumë që të përmirësohen gjërat. I njëjti vlerëson digjitalizimin e platformës së e-prokurimit nga KRPP-ja e cila rezulton në më shumë llogaridhënie dhe transparence nga Komuna e Ferizajt.

Tryeza u përmbyll nga z. Tovërlani, duke bërë një përmbledhje të diskutimeve, gjetjeve e rekomandimeve dhe duke i falenderuar të pranishmit për kontributin në tryezë.

Analizën mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

 

Më poshtë janë fotot nga tryeza: