INPO kundër ndërtimeve pa leje dhe uzurpimit të hapësirës publike
24/09/2012Prishtinë, 24 Shtator 2012 – Iniciativa për Progres si organizatë që monitoron punën e komunës së Prishtinës përmes kësaj deklarate mbështetë veprimin e organeve komunale kundër ndërtimeve pa leje dhe uzurpimit të hapësirës publike në komunën e Prishtinës.
INPO dënon sjelljen e pahijshme ndaj medieve dhe kërcënimet që i janë bërë përfaqësuesve të komunës së Prishtinës në rastin e përpjekjeve për ndalimin e punimeve në ndërtimin pa leje të një xhamie në lagjen Matiqan, ku Bashkësia Islame e Kosovës ka nisur punimet pa lejen përkatëse dhe në kundërshtim me ligjin.
I bëjmë thirrje Bashkësisë Islame të Kosovës që të distancohet nga sjelljet dhe deklarimet e Kryetarit të Bashkësisë Islame për komunën e Prishtinës z. Bahri Sejdiu, i cili ka cenuar ligjin, ka kërcënuar dhe ka nxitur urrejtje ndaj drejtorit të Inspektoratit të komunës z. Muhamet Gashi.
Bashkësitë fetare në Kosovë duhet të jenë promotorë të sundimit të ligjit dhe shembull i respektimit të shtetit, por jo e kundërta.
”Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë vendin si një shtet sekular dhe neutral ndaj të gjitha përkatësive fetare dhe çfarëdo përpjekje për të sfiduar këtë karakter të shtetit të Kosovës përbën shkelje të kushtetutës”,.
Në fund dëshirojmë të sqarojmë se organizata INPO nuk është kundër ndërtimeve të objekteve fetare pavarësisht cilët besim i takojnë ato. Megjithatë legjislacioni në fuqi duhet të respektohet nga qytetarët dhe bashkësitë fetare.