INPO: Kontrata “Kryerja e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e Komunës së Ferizajt” e kundërligjshme, ftohen autoritet përgjegjëse të mbajnë zyrtarët llogaridhënës

04/02/2021

Ferizaj, 4 shkurt 2021  Organizata INPO reagon ashpër ndaj keq menaxhimit të parasë publike përmes instrumentit të prokurimit nga Komuna e Ferizajt dhe kërkon që të mbahen përgjegjës zyrtarët komunal, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe ligjet tjera të aplikueshme në Kosovë.

Komuna e Ferizajt më 3 dhjetor 2020 ka nënshkruar kontratë publike kornizë me titull “Kryerja e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e Komunës së Ferizajt” me numër të prokurimit 656-20-7238-2-1-1, në vlerë prej 750,000.00 euro, me operatorin ekonomik “ECO & CONTO”.

INPO ka gjetur se kjo kontratë nuk parasheh kryerjen e ndonjë shërbimi profesional për nevojat e komunës, pasi që në këtë kontratë nuk figuron asnjë lloj i shërbimit specifik që pritet të ofrohet nga i kontraktuari dhe nuk mund të gjenden objektivat apo detyrat dhe përgjegjësitë që priten të përmbushen.

Gjatë analizës së dokumentacionit të prokurimit, INPO gjen se dosja e tenderit nuk përmban termat e referencës, dhe as nuk ka të dhëna rreth kontributit të pritur të personelit kyç, kohëzgjatjes dhe orarit të angazhimit apo edhe produkteve që duhet të dorëzohen. Në dokumentin “përshkrimi i çmimeve” të publikuar në e-prokurim, komuna ka kërkuar nga operatori ekonomik që të ofrojnë ofertë financiare për 53 pozita të ndryshme të punës, për të cilat nuk ka përcaktuar asnjë lloj kriteri mbi kualifikimet akademike dhe profesionale apo përvojën e punës.

Tutje, në asnjë paragraf të kësaj kontrate dhe dokumenteve të tenderit nuk mund të arsyetohet apo kalkulohet vlera totale e kontratës  (750,000.00 euro për 12 muaj). Në nenin 3 të kontratës, thuhet se çmimi i paraqitur nga ofruesi i shërbimeve në vlerë prej 25,496.00 euro është çmim  për njësi, deri në përmbushjen e shumës së planifikuar buxhetore (lexo 750,000.00 euro).  Edhe pse kjo kontratë pretendohet të jetë kontratë kornizë, e njëjta nuk parasheh devijimet e lejuara nga sasitë indikative dhe nuk përmbush kërkesat ligjore për t’u konsideruar si e tillë. Në këtë kuptim as vlera totale e kontratës nuk mund të zbërthehet.

Për më tepër, INPO ka gjetur se ish-nënkryetari i komunës së Ferizajt, i cili ka dhënë dorëheqje në qershor 2020, është përfaqësues dhe këshilltar ligjor i kompanisë fituese “ECO & CONTO” Sh.P.K, respektivisht i njëjti do të kryejë shërbime mbështetëse profesionale për nevoja të komunës.

INPO vlerëson se angazhimi i ish-nënkrytarit të komunës në këtë tender/kontratë është në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr.06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, respektivisht nenin 18, paragrafin 1, nën-paragrafin 1.3, i cili përcakton se:“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: të përfaqësojë, ndihmojë ose këshillojë ndonjë person fizik ose juridik, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, në një konflikt ose marrëdhënie biznesi me institucionin, për detyrën që ai ka kryer ose që është në vazhdimësi të saj për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik.”

Kësisoj, zyratarët komunal, të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë aktivitet të prokurimit kanë dështuar të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e veta me integritet dhe objektivizëm, dhe të sigurojnë zbatimin me besueshmëri të Ligjit për Prokurim Publik dhe ligjeve të tjera të aplikueshme në Kosovë.

INPO ngritë dyshime se qëllimi i kësaj kontrate është punësimi i së paku 53 personave në pozita të ndryshme në administratën komunale, siç janë zyrtarë financiar, zyrtarë të protokollit, inspektorë, zyrtarë personeli etj, pozita këto që janë pjesë e katalogut të vendeve të punës në kuadër të shërbimit civil në komunë dhe institucione tjera vartëse të saj, paga e të cilëve do të paguhet përmes operatorit ekonomik dhe jo direkt nga komuna. Ky veprim është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, respektivisht, pozitat e tilla në komunë kontraktohen përmes ligjit për shërbyes civil dhe atij për zyrtarë publik.  Tutje, përmes kësaj kontrate komuna pritet të punësojë edhe aktorë, gazetarë, biblioteksit, kino-operator etj.

Për më tepër, INPO ka gjetur që kompania fituese “ECO & CONTO” Sh.P.K. ka shpallur konkurs për plotësimin e 53 pozitave,  të cilat janë identike me pozitat e kërkuara nga Komuna e Ferizajt në dosjen e tenderit. Ky konkurs ka qenë i hapur deri më 8 janar 2021, çka dëshmon se kompania fituese nuk ka pasur në dispozicion personelin e kërkuar dhe nuk ka qenë e gatshme të filloj implementimin e kontratës me kohë. Ndërkaq komuna e Ferizajt nuk ka zhvilluar asnjë lloj komunikimi me kompaninë rreth zbatimit të kontratës, impelemtimi i së cilës është dashur të filloj më 4 janar 2021.

Në lidhje me këtë aktivitet, INPO liston një varg shkeljes të Ligjit për Prokurimin Publik:

  1. Ky aktivitet i prokurimit në Plan të prokurimit 2020, ka vlerë të parashikuar 500,000.00 euro dhe është planifikuar të iniciohet më 15.04.2020, ndërsa komuna këtë aktivitet e ka inicuar më 09.11.2020, apo shtatë muaj më vonë, dhe vlera e parashikuar është 750,000.00 euro, apo 250,000.00 euro më e lartë se planifikimi.
  2. Deklarata e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve nuk përmban numrin e aktivitetit të prokurimit për të cilin është zhvilluar procedura. Mungon konstatimi se si ky prokurim do të përmbush objektivat institucionale të komunës, dhe mungon numri i Urdhëresës së Zotimit dhe Pagesës. Po ashtu, kjo deklaratë nuk është e nënshkruar nga Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, Kryetari i Komunës dhe nga Zyrtari Kryesor Financiar para dhënies së kontratës.
  3. Komuna ka shkurtuar afatet ligjore për tenderim në kundërshtim me ligjin. Operatorëve ekonomik u janë lënë në dispozicion vetëm 15 ditë për të dorëzuar ofertat e tyre përkundër që ligji kërkon që për kontrata të vlerave të mëdha të lihen në dispozicion së paku 40 ditë. Shkurtimin e afateve komuna e ka arsyetuar me nevojën urgjente për të marrë shërbime, megjithatë deri më sot kontrata nuk ka filluar të implementohet. Në këtë tender kishin aplikuar vetëm 2 operatorë ekonomik.
  4. Kontrata e nënshkruar në mes të komunës dhe kompanisë fituese është klasifikuar si  kontratë kornizë. Në njoftim për kontratë askund nuk figuron që komuna planifikon të lidhë kontratë kornizë, madje as nuk është përdorur formualari B28 që është adekuat për tenderët për shërbime – kornizë, mirëpo është përdorur formulari B16 – Dosja e tenderit për shërbime – procedurë e hapur.
  5. Specifikimet teknike të detyrueshme në dosjen e tenderit nuk janë shënuar fare. Në paramasë/listën e çmimeve komuna ka kërkuar nga operatorët ekonomik që të ofrojnë ofertë financiare për punëtorë në 53 pozita të ndryshme. Komuna u ka vënë kusht që paga për punëtorët që punojnë tek operatori ekonomik fitues të jetë 320.00 euro neto. Ndërsa tek çmimet e kontraktuara vërehen paga të ndryshme dhe shumë më të larta se ajo që është kufizuar nga komuna.
  6. Siguria e ekzekutimit të kontratës është e vlefshme deri më janar 2022, ndërkaq afati i përmbylljes së kontratës është 3 Janar 2022. Pra, siguria e ekzekutimit do të skadojë një ditë para përmbylljes së kontratës, ndërsa në bazë të ligjit sigurimi i ekzekutimit do të mbetet valid për një periudhë prej tridhjetë (30) ditë pas kompletimit të kontratës.
  7. Në bazë të kontratës shërbimet do të duhej të fillonin më 4 janar 2021, mirëpo së paku  deri më 29 janar 2021 kjo kontratë nuk ka filluar të zbatohet.
  8. Menaxheri i kontratës nuk ka hartuar Planin për Menaxhimin e Kontratës.

Duke pasur parasysh të gjitha gjetjet e shkeljeve ligjore në këtë aktivitet të prokurimit, INPO  i bën thirrje të gjitha autoriteteve relevante, të cilat kanë për mandat mbikëqyrjen e shpenzimit e parasë publike, mbikëqyrjen e prokurimit dhe parandalimin e konfliktit të interesit të ndërmarrin veprime konkrete në kërkim të llogarisë për shkeljet e paraqitura dhe të angazhohen që autorët e këtyre shkeljeve të mbahen përgjegjës para ligjit.

INPO i rikujton Kryetarit të Komunës se është nën përgjegjësinë e tij kryesore garantimi i sundimit të ligjit dhe menaxhimi efikas dhe efektiv i parasë publike. Në këtë kuptim, INPO  fton kryetarin  e Komunës së Ferizajt që publikisht të njoftojë qytetarët e Ferizajt për të gjitha veprimet e ndërmarra sipas kompetencës së tij ligjore  në kërkim të llogaridhënies për shkeljet që janë bërë, si dhe për garantimin e zbatimit të ligjit në komunë.