INPO: Komuna e Klinës kundërligjshëm shpërblen me kontratë ish -Udhëheqësin e Zyrës së Prokurimit

23/02/2022

INPO shpreh shqetësimin e thellë që Komuna e Klinës në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik ka shpërblyer me kontratë ish – Udhëheqësin e Prokurimit të kësaj komune z. Abaz Foniqi.

INPO gjatë monitorimit sistematik të prokurimit publik në Republikën e Kosovës, ka hasur në një kontratë të nënshkruar në mes të Komunës së Klinës dhe ish – Udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit në këtë Komunë z. Abaz Foniqi.

Z. Foniqi ka qenë Udhëheqës i Zyrës së Prokurimit të Komunës së Klinës deri më 26 shtator 2021, përkatësisht deri në pensionim të tij. Më 29 shtator në pozitë të Udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit emërohet z. Ali Gashi, i cili më 15 tetor inicon aktivitetin e prokurimit me titull “Shërbime të veçanta-ekspert bashkëpunëtor për prokurim publik”, me numër të prokurimit 634-21-7622-2-3-6. Më 9 nëntor 2021 me kontratë shpërblehet ish – Udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit z. Abaz Foniqi në vlerë 7,200 euro dhe kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Kjo kontratë bije në kundërshtim flagrant me Ligjin Nr. 06/l -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, ku në nenin 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.2 saktësohet se zyrtari i lartë nuk ka të drejtë “Të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik”. Pra, duhet të kalojnë dy (2) vite në mënyrë që ish – zyrtari të mund të futet në marrëdhënie kontraktuale me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, ndërsa z. Foniqi vetëm pas dyzetë e katër (44) ditësh futet në marrëdhënie kontraktuale me Komunën e Klinës.

Se z. Abaz Foniqi ka qenë zyrtar i lartë publik argumentohet me Ligjin Nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, ku në nenin 3, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11 saktëson se zyrtar të lartë konsiderohen edhe Drejtorët e të gjitha Departamenteve, Udhëheqësit e Financave dhe Prokurimit Publik në të gjitha institucionet publike”.

INPO kërkon nga ekzekutivi i komunës së Klinës që sa më parë të ndërmerren masat për parandalimin e konfliktit të interesit lidhur me këtë kontratë, përkatësisht të ndërpritet kontrata dhe të merren masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve të cilët kanë lejuar një shkelje të tillë ligjore. INPO i bënë thirrje edhe Agjencisë Kundër Korrupsion dhe organeve të ndjekjes penale që të ndërmarrin masat ligjore kundër shkeljeve të dispozitave të Ligjit Nr. 06/l -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.