INPO: Komuna e Ferizajt shkelë të drejtat themelore të qytetarëve duke kushtëzuar qasjen në shërbime publike

01/09/2016

Organizata joqeveritare INPO kundërshton aktin urdhërues të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, sipas të cilit ndalohet lëshimi vërtetimit të tatimit në pronë pa dëshminë për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanive KRM “Pastërtia” dhe KRU “Bifurkacioni”
Vendimin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt për kushtëzimin e vërtetimit të tatimit në pronë me dëshminë për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanisë së ujësjellësit dhe mbeturinave , INPO e konsideron të jashtëligjshëm, në kundërshtim më praktikat demokratike dhe një administrate efikase.
Mospagesa e këtyre shërbimeve, sanksionohet me Ligjin Nr.04L/-139 për Procedurën Përmbarimore (GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS Nr.3/31 JANAR 2013), neni 29, faturat e shërbimeve komunale kanë titull ekzekutiv dhe përmbarimi për to bëhet në procedurë gjyqësore drejtpërdrejt. Prandaj, vendimi i kryetarit Svarqa është sanksionim i dyfishtë ndaj konsumatorëve.
Përpos anës ligjore, ky vendim ka efekt edhe efikasitetin e administratës komunale, edhe ashtu me shumë probleme. Bazuar në këtë vendim qytetarët do të duhej të kalonin edhe hapa tjerë të shumtë procedural (sigurimi i të gjitha dëshmive të faturave nga të gjitha ndërmarrjet) për tu pajisur me vërtetimin e tatimit në pronë. Kjo do të ishte ngarkesë e tepërt për qytetarët dhe “dënim” për ata të cilët kanë qenë korrektë në detyrimet ndaj komunës dhe ndërmarrjeve publike.
INPO, gjithashtu ia rikujton kryetarit të Komunës se një veprim i tillë shkelë parimin e organizimit të administratës dhe ofrimit të shërbimeve me numër sa më të vogël të hapave procedural në administratë. Në anën tjetër, Administrata do të ngarkohet edhe më tepër me detyrën e verifikimit të vërtetësisë së dokumenteve të tilla, analizimin e rasteve kur pronësia është e pa-definuar dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Në këtë drejtim, INPO, kërkon nga kryetari i Komunës që ta shfuqizojë këtë urdhëresë dhe të zbatoj ligjin.
Kryetari i Komunës dhe Komisioni Komunal i Aksionarëve në KRM “Pastërtia” dhe KRU “Bifurkacioni”, duhet të jenë më azhur në mbikëqyrjen e performancës së këtyre ndërmarrjeve, në mënyrë që të rritet niveli i performancës në menaxhimin e tërësishëm të ndërmarrjeve. Rrjedhimisht, këtu duhet përfshirë edhe realizimi i planit vjetor të biznesit, përfshirë arkëtimin efikas të të hyrave, gjithnjë duke respektuar parimet e transparencës në raport me publikun.
INPO, ka kundërshtuar kushtëzime të tilla edhe në qeverisjet e kaluara. Në vitin 2011, është tentuar që përmes një vendimi të Kuvendit Komunal të Ferizajt, të kufizohej qasja e qytetarëve të komunës në shërbime publike, vendim i cili nuk pati kaluar.

 

urdherese-e-kryetarit-te-Komunes-Ferizaj