INPO kërkon përfundimin e projektit të sheshit të qytetit dhe rrugës “Rexhep Bislimi”

14/04/2015

Ferizaj, 14 Prill 2015- Komuna e Ferizajt ka dështuar në jetësimin dhe përfundimin e projekteve kapitale, sidomos në përfundimin e projekteve nga vitet e kaluara. Dy projektet e vitit 2013, ai për rregullim e bulevardit të qytetit të Ferizajt “Dëshmorët e Kombit”, faza e parë e tij prej sheshit “Hyrë Emini” deri te hotel “Lyboteni” dhe projekti i rregullimit të rrugës “Rexhep Bislimi” me katër korsi akoma nuk kanë përfunduar dhe nuk është bërë pranimi teknik i tyre, ashtu sikur është i paraparë me kontratë.

INPO ka kërkuar informata lidhur me arsyet e ngecjes së këtyre projekteve dhe informacion për pagesat që komuna i ka bërë operatorëve ekonomik për realizimin e këtyre dy projekteve, mirëpo komuna e Ferizajt nuk është përgjigjur dhe nuk ka ofruar informata lidhur me këtë çështje.

Kontrata për projektin e rregullimit të sheshit të qytetit dhe rregullimit të rrugës “Rexhep Bislimi”, është paraparë të jetë 2 vjeçare dhe tashmë duhej të ishin të përfunduara. Mirëpo, mosfinalizimi i punimeve në këto dy projekte ka pamundësuar edhe pranimin teknik të tyre. Në këtë drejtim edhe kompanisë, e cila ka qenë e kontraktuar që të mbikqyrë punimet dhe të bëjë pranimin teknik për këto projekte, në muajin Mars të këtij viti i ka skaduar kontrata. Kësisoj, menaxhimi jo efikas i komunës ka rezultuar në vonesa dhe mospërfundim të punëvë ashtu siç kanë qenë të kontraktuara.

INPO i bën thirrje Komunës së Ferizajt që sa më parë t’i përfundoj këto dy projekte, të cilat i kanë kushtuar më së shumti buxhetit të komunës. Këto dy projekte arrinë vlerën afro 3 milion euro. Faza e parë e projektit të sheshit, komunës i ka kushtuar 1 milion e 41 mijë euro, ndërsa projekti për rregullimin e rrugës “Rexhep Bislimi” ka pasur një kosto prej 1.8 milion euro. Çdo zvarritje dhe vonesë në përfundimin e këtyre dy projekteve reflekton joefikasitet të punës dhe keqmenaxhim të parasë publike.