INPO kërkon nga Anëtarët e Kuvendit Komunal të Ferizajt të mos aprovojnë kërkesën për themelimin e Drejtorisë për Rini
04/09/2015Ferizaj, 4 shtator 2015 – Organizata INPO sot përmes një performance simbolike u ka dorëzuar një letër të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal të Ferizajt, duke kërkuar nga ta të mos aprovojnë kërkesën për themelimin e Drejtorisë për Rini, si pikë e 11-të e rendit të ditës së mbledhjes së Kuvendit që po zhvillohet sot. Si më poshtë gjeni letrën që ju është dorëzuar anëtarëve të Kuvendit:
I/E nderuar,
Më lejoni të ju shpreh kënaqësinë të ju drejtohem me këtë letër përmes së cilës kërkon nga ju të votoni kundër themelimit të Drejtorisë së Rinisë. Më lejoni të ju numëroj disa nga arsyet pse Organizata INPO kundërshton themelimin e kësaj drejtorie:
INPO vlerëson se zgjidhja e problemeve që përballen të rinjtë e Komunës së Ferizajt duhet të bëhet brenda institucioneve dhe resoreve të përcaktuara me Statutin aktual të Komunës, më konkretisht brenda Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Duke vlerësuar gjithashtu se pozicioni i të rinjve në shoqëri dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje është e vogël, INPO konsideron se është më racionale që të kërkohet fuqizimi i rolit të të rinjëve përmës DKRS-së, si dhe të kërkohet një masë më e madhe e llogaridhënjes nga kjo drejtori. Themelimi i drejtorive të reja me idenë se ajo aktualja nuk po arrinë të ndëgjoj zërin e të rinjve nuk jep mbështetje se ky zë do të dëgjohet brenda një drejtorie të re.
Themelimi i Drejtorisë për Rini do të shërbejë si një vegël shtesë për pushtetin e tanishëm dhe ato të ardhshme për të rritur prezencën politike të njerzve të afërt me këto parti. Duke qenë dëshmitar të një mënyre të qeverisjes e cila në raste të shumta mundohet t’u shërbejë interesave të grupeve të caktuara të shoqërisë, të lidhura me partitë në pushtet, themelimi i drejtorisë do të shërbente si një mundësi më shumë për të rritur këtë mbështetje për këto grupe. Në fund të cilitdo proces, jemi dëshmitar të politizimit të skajshëm të grupeve të moshave të ndryshme shoqërore, e më shqetësuese për INPOn është politizimi i të rinjëve. Ky politizim ka rezultuar deri më tash në ngulfatje të mendimit të pavarur dhe kritik ndaj proceseve që ka kaluar shoqëria, por gjithashtu ka nxitur kulturën e klientelizmit tek të rinjtë.
Andaj, INPO kërkon nga Ju, që për një moment para marrjes së vendimit, të vlerësoni pa ndonjë kalkulim të përfitimeve politike nga një propozim i tillë, dhe si i/e zgjedhur nga qytetarët e Komunës së Ferizajt, të mbroni interesin më të mire të të rinjëve duke krijuar ambient ku këta të rinjë në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike të fuqizohen në shoqërinë kosovare.
Me respekt,
Arbër Kadriu
Drejtor Ekzekutiv