
INPO fton kryetarin e Prishtinës ta sqarojë iniciativën për vendosjen e pagesave për hyrje në kryeqytet
19/10/2020Organizata INPO fton kryetarin e komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti, që të sqarojë para qytetarëve dhe publikut të gjerë rreth iniciativës për vendosjen e kufizimeve, respektivisht kufizimin e hyrjes me pagesë në kryeqytet të veturave që vijnë nga vendet e tjera.
Në media është raportuar se nga viti i ardhshëm komuna, do të fillojë të aplikojë kufizime me pagesë për të gjithë qytetarët që udhëtojnë me vetura për në qytetin e Prishtinës dhe se një vendim i tillë do të merret në nëntor të këtij viti. Ky vendim thuhet të jetë masë për të zgjidhur problemin e mbingarkesës së trafikut në Prishtinë.
INPO ka pranuar dhjetëra ankesa dhe shqetësime të qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit rreth kësaj iniciative dhe paqartësisë së saj, në kuptim të zonës së aplikimit të kësaj mase dhe efikasitetit që pretendohet të ketë.
INPO vlerëson se vendosja e kësaj mase duhet të konsiderohet si masë e fundit që komuna e Prishtinës duhet ta mendojë si opsion për të adresuar problemin e ngarkesës së rrugëve dhe trafikut në përgjithësi, dhe vetëm pasi të jenë ndërtuar unazat, të jetë rritur numri i autobusëve së bashku me efikasitetin e orareve të qarkullimit të trafikut urban, si dhe mbi të gjitha pasi të jetë rregulluar në tërësi infrastruktura e parkingjeve, të cilat duhet të jenë të mjaftueshme dhe lehtë të qasshme brenda zonave të qytetit, ashtu siç është paraparë me rregulloren komunale për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në komunën e Prishtinës.
Andaj, INPO fton kryetarin e komunës z. Shpend Ahmeti, që t’i informojë qytetarët dhe publikun e gjerë për të gjitha detajet rreth kësaj iniciative dhe masave që planifikohen të ndërmerren, pa u kufizuar edhe në nivelin e zbatimit dhe efekteve të rregullores komunale për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të komunës, si dhe ecurisë së ndërtimit të parkingjeve publike në Prishtinë.