INPO e pa kënaqur me qeverisjen e re të komunës së Ferizajt

08/01/2014

Ferizaj, 08 Janar 2014. INPO përmes një performance në sheshin e qytetit të Ferizajt, shprehi paknaqësinë me veprimet e vonuara të kryetarit të komunës z.Muharrem Svarqa dhe qasjen e tij jo parimore ndaj funksionalizmit të qeverisjes në Ferizaj.

Përmes kësaj performance kryetarit Svarqa i’u bë më dije se nuk po i përmbahet premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore, ku kishte premtuar se do të përzgjedh kuadër të ekspertëve dhe profesionistëve për të drejtuar drejtoritë komunale. Përkundrazi, kryetari ka filluar qeverisjen e tij duke devijuar në pazare politike me partitë e koalicionit për ndarjen e pushtetit.

INPO shprehi shqetësimin me mënyrën se si është bërë përzgjedhja e drejtorëve komunal duke negociuar nëpër shtëpi private, larg medias dhe publikut dhe pa aplikuar kritere të mirëfillëta. Duke pasur parasysh këto ditë të qeverisjes, e vetmja gjë që veprimet e kryetarit të ri kanë reflektuar tek opinioni publik është se po vazhdojm me doktrinën e vjetër duke rahatuar fillimisht kryetarët e partive, nënkryetarët dhe familjarët e tyre.

Drejtori ekzekutiv i organizatës INPO, z.Samir Reka tha se qyetetarët e komunës së Ferizajt kanë mbetur rreth 5 muaj pa qeverisje për shkak të procesit zgjedhor që kemi kaluar dhe se kryetari Svarqa nuk e ka pasur komoditetin që ndarjen e pushtetit me partnerët e koalicionit ta zvarrisë në këtë masë dhe të aplikoj parime “aksionare” të kompanive private në ndarjen e posteve publike .

Prandaj, INPO përmes këtij reagimi i bënë thirrje kryetarit të komunës z.Muharrem Svarqa që mandatin e tij si kryetar ta filloj duke aplikuar një qasje më parimore në udhëheqjen e komunës, në mënyrë që të arsyetoj besimin e marrë nga qytetarët. Ngase ky nivel i veprimit i dëshmuar deri më tani, përmes organizimit të darkave dhe takimeve të mbyllura nuk premton qeverisje të mirë dhe respektim të parimeve demokratike.

FOTO_01