INPO dënon gjuhën dhe veprimet e dhunshme gjatë dhe pas Mbledhjes së Kuvendit Komunal të Prishtinës

10/04/2015

Prishtinë, 10 prill 2015 – Organizata INPO dënon rëndë gjuhën dhe veprimet që u përdorën sot gjatë vazhdimit të mbledhjes së rregulltë të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Drejtori i Urbanizmit, z. Liburn Aliut kundrejt asambleistit të Kuvendit Komunal, z. Muhamet Selmani. Gjuha kërcënuese e përdorur nga z. Aliu është në kundërshtim me parimet e mirësjelljes dhe etikës së komunikimit të një Drejtori komunal në raport me të zgjedhurit nga qytetarët e Prishtinës. Monitoruesit e Organizatës kanë vërejtur se gjatë mbledhjes z. Aliu dhe z. Selmani kanë pasur debat të ashpër lidhur me një cështje të diskutuar si pjesë e rendit të ditës, e cila pastaj ka vazhduar edhe gjatë pauzës së mbledhjes së Kuvendit dhe që nga mediat është raportuar që ka përfunduar edhe në përleshje fizike.

INPO ka kërkuar nga Policia e Kosovës informacion lidhur me kualifikimin e rastit, por që nuk ka marrë përgjigjie për shkak të hetimeve që janë ende në proces.

INPO dënon cfarëdo sjellje të dhunshme, të konfirmuar nga autoritetet policore të Kosovës, si të papranueshme, denigruese dhe sulm direkt në lirinë e fjalës dhe veprimit ndaj Kuvendit Komunal të Prishtinës, rrjedhimisht ndaj përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Komunës së Prishtinës. Prandaj, nëse nga autoritetet kompetente konfirmohet se është kryer një veprim i jashtëligjshëm – sulm fizik, kërkojmë nga z. Aliu që të reflektoj moralisht dhe nga Kryetari i Komunës së Prishtinës që të merr masat e nevojshme në përputhje me përgjegjësitë institucionale që ai bartë.

INPO kërkon që një situate e tillë ku diskursi agresiv i manifestuar gjatë mbledhjes së Kuvendit dhe shkelja e rregullorës së punës së Kuvendit të mos bëhen temë diskutimi pasi që kjo nuk i shërben avansimit të interesave të qytetarëve të Prishtinës.