
INPO dënon ashpër sulmin fizik dhe sjelljen brutale ndaj qytetares në Ferizaj, kërkon mbrojtje të viktimës së dhunës dhe ndjekje të personave përgjegjës
31/05/2019INPO reagon ashpër ndaj sulmit fizik të ushtruar nga një qytetareje, e cila është raportuar se i takon përkatësisë rome. Sulmi fizik dhe linçimi i një qytetareje të pafajshme është i papranueshëm dhe INPO dënon ashpër këtë dhunim të të të drejtave të njeriut, lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për jetë të një qytetareje, e cila siç vërehet në videot e publikuara në media me asnjë veprim nuk e ka provokuar asnjë situatë, e cila do të prodhonte pasojën e dhunës fizike ndaj saj.
INPO vlerëson se mekanizmat e sigurisë dhe ndjekjes duhet të reagojnë me urgjencë për ta mbrojtur viktimën e dhunës brutale dhe të njëjtën kohë të nxjerrin para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë në këto veprime të dhunshme.
INPO gjithashtu bën thirrje për mediat, të cilat duhet ta luajnë rolin e tyre, duke respektuar parimet e informimit për të raportuar vetëm të vërtetën, sepse në të kundërtën sikurse në këtë rast, raportimet joprofesionale dhe joetike mund të prodhojnë pasoja fatale për jetën e qytetarëve.