
Grupi Monitorues publikon raportin e monitorimit të aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike në fshatin Gaçkë – Faza e dytë”
24/09/2019Grupi Monitorues i Organizatave Jo-Qeveritare të rajonit të Ferizajt, sot përmes konerencës për medie ka publikuar raportin e monitorimit të aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike në fshatin Gaçkë – Faza e dytë”.
Gjetjet e këtij raporti tregojnë se komuna e Ferizajt ka bërë një sërë shkeljesh gjatë inicimit dhe zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit. Tejkalimi i vlerës së kontratës në raport me planifikimin e prokurimit dhe Kornizën Buxhetore është një problem të cilën komuna ë ferizajt duhet të adresojë.
Komuna e Ferizajt në muajin gusht 2018 ka lidhur kontratë për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në shkollën fillore të fshatit Gaçkë, me konzorciumin “G&A Counsulting” dhe“Pro&Co Group” në vlerë prej 117,209.95 €, përmes procedurës së hapur.
Sipas planit përfundimtar të prokurimit vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 40,000 euro, e cila ishte në shpërputhje me planifikimin e buxhetit ku për të njëjtin projekt ishin aprovuar 90,000 euro. Tutje, në njoftimin për kontratë vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 100 mijë euro, kurse çmimi i ofertës fituese ishte 117,209.95 euro. Kësisoj, Komuna e Ferizajt ka lidhur kontratë mbi 17 mijë € më të shtrenjtë se vlera e parashikuar me njoftimin për kontratë, ndërsa diferenca me buxhetin e Komunës për ketë projekt është 27 mijë euro. Hyrja në marrëdhënie kontraktuale në shuma më të larta se disponueshmëria e mjeteve financiare të komunës është e ndaluar sipas nenit 9 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, kontraktimi i projekteve në vlera shumë me të larta në raport me kornizën buxhetore të investimeve kapitale, respektivisht mjeteve financiare në dispozicion rritë rrezikun për rritjen e obligimeve kontraktuale të cilat më pas mund të shkaktojnë vështirësi financiare për Komunën.
Gjatë fazës së vlerësimit, komuna ka bërë shkelje të ligjit për prokurimit publik pasiqë i janë dashtë 63 ditë kohë për të bërë vlerësimin e 6 ofertave sa ishini gjithsej të dorëzuara gjatë aktivitetit të tenderimit. Zvarritja e vlerësimit të tenderit është shkelje e nenit 41.2 të Rregullave dhe Udhëzuesit për Prokurimit Publik, i cili obligon autoritetet kontraktuese që procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve të kryhet brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Për shkak të vonesave në vlerësimin e tenderëve, validiteti i tenderit kishte skaduar.
Sipas dosjes së tenderit, vlefshmëria e sigurisë së tenderit ishte 60 ditë. Dy (2) ditë para publikimit të njoftimin për vendimin e Autoritetit Kontraktues për ofertën fituese, Autoriteti kontraktues kishte publikuar kërkesën për vazhdimin e validitetit të ofertës edhe për 30 ditë të tjera. Mirëpo, operatorët ekonomik në garë për këtë tender, sipas kësaj kërkese kishin vetëm 24 orë kohë, që përmes e-mailit ta konfirmonin vlefshmërinë e tenderit. Për çdo ndryshim a kërkesë shtesë rregullat kërkojnë që së paku 48 orë tu lihet në dispozicion OE që të veprojnë.
Kësisoj, sipas raportit për vlerësimin e tenderëve dy (2) nga gjashtë (6) operatorët ekonomik, nuk e kishin vazhduar validitetin e ofertës. Njëra nga këto dy (2) oferta të cilës i kishte skaduar validiteti ishte edhe oferta më e lirë në vlerë prej 84,720.10 euro, pra për 32,489.85 € më e lirë se oferta fituese.
Pavarësisht këtyre shkeljeve komuna e Ferizajt ka vazhduar procesin e prokurimit duke lidhur kontratë me grupin e operatorëve ekonomik G&A Consulting dhe Pro&CO Group në vlerë prej 117,209.95 euro. Mirëpo, gjatë analizës së kontratës dhe paramasës, grupi monitorues ka gjetur se në pozicionin D- Punët e Armimit, ku kërkohej furnizimi dhe montimi i armaturës me profile të ndryshme në sasi prej 14 mije 980 kg, komuna nuk e kishte saktësuar profilin e nevojshëm të armaturës ashtu sikur kërkohet me rregullat e prokurimit dhe ndërtimit dhe për këtë pozicion operatori fitues ka ofruar cimin 0.69 euro për kg, respektivisht për gjithë pozicionin 10 mijë e 336.20 euro në total. Mirëpo, raporti tregon se në 5 vitet e fundit çmimi i armaturës asnjë herë nuk ka qenë për 0,69 euro për kg, rrjedhimisht komuna ka kontraktuar punë që në pozicione të caktuara cmimet janë më të larta se cmimet e tregut. Tutje, komuna nuk ka specifikuar kohëzgjatjen e kontratës dhe afatin e përmbylljes së kontratës.
Sipas kontratës përfundimi i punimeve ishte paraparë të bëhet brenda 90 ditëve, mirëpo nuk ishte specifikuar nëse kontrata është dy vjeçare, poashtu defekte janë gjetur edhe në afatin e vlefshmërisë së sigurimit të ekzekutimit të kontratës sipas rregullave të prokurimit, vlefshmëria e sigurimit të kontratës do të jetë prej 30 ditëve pas kompletimit të kontratës. Nëse i referohemi kësaj rregulle kontrata do të duhej të zbatohej deri më 30 nëntor 2018, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Po ashtu, komuna nuk ka pasur plan për menaxhimin e kësaj kontrate. Në regjistrin e prokurimit, nuk ka qenë i administruar Plani i Menaxhimit të Kontratës, ndërkaq, zyrtari përgjegjës i prokurimit është arsyetuar se këtë plan e posedon Menaxheri i Kontratës. Menaxheri i kontratës ka refuzuar që t’i ofroj qasje pjesëmarrësve në këtë plan, me arsyetimin se të njëjtin duhet ta kërkojmë në zyrën e prokurimit. Neni 81 i Ligjit për Prokurimin Publik, obligon komunën që për kontrata të vlerës së madhe dhe të mesme, pas nënshkrimit të kontratës, të prodhojnë një plan të menaxhimit të kontratës, duke përfshirë në veçanti çështjet e aspekteve organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore të menaxhimit të kontratave.
Të gjeturat e këtij raporti paraqesin nevojën imediate për të intervenuar në adresimin e problemeve dhe shkeljeve ligjore gjatë zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit. Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.
Në këtë drejtim Grupi Monitorues rekomandon që:
- Kryetari i komunës dhe Udhëheqësi i Prokurimit duhet të sigurohen që vlera e parashikuar e projekteve në buxhetin e Komunës të jetë e njëjtë edhe në planin e prokurimit.
- Kryetari i Komunës duhet të sigurohet që secila njësi e kërkesës brenda komunës të bëjë parashikime të përafërta të kostove të projektit, në mënyrë që të shmanget suficiti i buxhetit apo nevoja për të marrë mjete nga linjat tjera buxhetore.
- Meqë vonesat në vlerësim të ofertave ka rezultuar me tërheqje të një kompanie dhe rrjedhimisht rritje të kostos së projektit për 30%, Kryetari i Komunës duhet të kërkojë llogari nga anëtarët e komisionit për vonesat në vlerësim.
- Kryetari i komunës duhet të sigurojë që secili komision vlerësues të nis vlerësimin e ofertave menjëherë pas formimit për të parandaluar rastet kur një OE që ka dorëzuar ofertë të ultë të tërhiqet pa u penalizuar apo të ketë ‘pazare’ në mes të bizneseve për kurdisje të fituesit.
- Komuna duhet të hartoj më saktësi kushtet e kontratës në mënyrë që t’i shmanget pasojave dhe rrezikut në mos përmbushjen e saj.
- Kryetari i Komunës duhet t’ia kërkojë menaxherit të Kontratës planin e menaxhimit të kontratës, dhe njëkohësisht të mbajë përgjegjës edhe zyrtarin përgjegjës të prokurimit.
Rreth Grupit Monitorues të organizatave jo-qeveritare të rajonit të Ferizajt
Grupi monitorues i organizatave jo-qeveritare të rajonit të Ferizajt përbëhet nga organizatat Iniciativa për Progres (INPO), Leadership Development Association Albania, Branch in Kosovo (LDA), Center for Education and Development “The Future” (CEDF), Organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”.