Ferizaj, larg qyteteve evropiane për nga lëvizja e lirë e qytetarëve

03/11/2015

Ferizaj,03 Nëntor 2015 – Organizata INPO sot ka prezantuar hulumtimin e fundit lidhur me gjendjen e rrugëve dhe trotuareve të qytetit të Ferizajt. Duke qenë se Komuna e Ferizajt planifikimin më të madh të investimeve e ka bërë dhe planifikon ta bëj edhe për vitin e ardhshëm për infrastrukturë rrugore, INPO ka vlerësuar tepër të nevojshme të bëj një hulumtim për gjendjen aktuale të rrugëve dhe trotuareve kryesore të qytetit, duke vlerësuar kështu nëse i plotësojnë kushtet për një qarkullim të lirë për automjetet dhe lëvizje të lirë e të papenguar për këmbësorët në trotuare.

Në këtë hulumtim kemi vrojtuar 14 rrugët kryesore në Komunën e Ferizajt dhe kemi vërejtur që në masë të madhe se rrugët janë në gjendje të rëndë, të dëmtuara si dhe kapakët e pusetave nuk janë të vendosura në nivelin e asfaltit dhe me këtë krijohet vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Gjithashtu, problem kryesor është evidentuar edhe gjendja e trotuareve. Afër 70% të gjatësisë së trotuareve janë të dëmtuara, të ngushta e jashtë standardeve minimale të kërkuara me Ligjin për Sigurinë në Komunikacion që parasheh gjërësinë minimale prej 1.5 m gjërësi. Për më tepër trotuaret nuk janë në nivel me rrugët, kështu duke ju krijuar vështirësi në lëvizjen e lirë të këmbësorëve. Kjo bëhet më shqetësuese kur këto trotuare nuk ofërojnë as kushte minimale të cilat pamundësojnë lëvizjen e lirë të personave me aftësi të kufizuara. Ndër rrugët dhe trotuaret më të dëmtuara në qytet janë rruga ”12 Qershori”, ”Driton Islami” dhe “Rruga e Reçakut”.

INPO vite me radhë është duke i bërë thirrje Komunës së Ferizajt që të veprojë dhe të ndërmarrë masa konform Ligjeve të përcaktuara dhe të rregulloj infrastrukturën, mirëpo vazhdojmë të jemi në një gjendje ku përballemi me vështirësi dhe nuk ju mundësohet qytetarëve as kushtet minimale të lëvizjes së lirë në qytet. Ky qytet dhe qeverisjet komunale ndër vite, që synojnë që Ferizajn ta bëjnë pjesë të komunitetit të qyteteve evropiane, kanë dështuar në masë drastike të ofërojnë kushte minimale për lëvizje të lirë të qytetarëve.

Harta_Trotuaret Harta_Rruget

Andaj, INPO i kërkon Komunës së Ferizajt që të intervenoj urgjentisht në përmirësimin e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve të qytetit, që të mundësoj qarkullimin e lirë të qytetarëve. Për më tepër kërkojmë që Komuna të planifikojë si duhet gjërësinë e troutareve sipas kërkesave minimale ligjore, dhe në rastet kur krijohen pengesa të eliminoj ato menjëherë. Gjithashtu, gjatë planifikimit të siguroj krijimin e mundësive për lëvizje të personave me aftësi të kufizuara dhe të mbikqyrë me kujdes të shtuar punën e punëkryerësit dhe të kërkojë llogari nga ata që të bëhet punë cilësore.

###