Dorëzimi i materialeve të ndjeshme, shpërndarja e vëzhguesve dhe hapja e vendvotimeve

27/05/2012

Komunikata 1 (08:30)

Dorëzimi i materialeve të ndjeshme, shpërndarja e vëzhguesve dhe hapja e vendvotimeve

Ferizaj – INPO dhe D4D janë duke e vëzhguar procesin e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe kemi një vëzhgues në çdo vendvotim në tërë komunën e Ferizajt. Gjithashtu janë pesë ekipe mobile të cilat janë në gjendje gatishmërie për të vizituar ato qendra të votimit në të cilat mund të paraqiten probleme të ndryshme.
Gjatë vëzhgimit të procesit të dorëzimit të materialit ndjeshëm dhe jo të ndjeshëm vëzhguesit tanë kanë vërejtur që:

a. Menaxherët e shkollave në disa raste nuk kanë qenë të pranishëm për të marrë listat e votuesve;
b. Kryesuesit e vendvotimeve në disa raste nuk kanë qenë të pranishëm gjatë marrjes së materialit të ndjeshëm;
c. Gjatë ditës së shtunë, kur edhe bëhet rregullimi i vendvotimeve, një numër i komisionarëve nuk kanë marrë pjesë në këtë proces;
d. Kas pasur një koordinim të mirë në mes të policisë së Kosovës dhe KKZ-së.

Sipas vëzhguesve të D4D dhe INPO, 120 vendvotime janë hapur para orës 07:10, ndërsa tri vendvotime pas orës 07:10. Në fshatin Varrosh, qendra e votimit 2516D, vendvotimi 03, hapja është vonuar për 35 minuta për shkak të gabimeve teknike, ku kutia e votave me kusht është shënuar e rregullt dhe anasjelltas.
Vëzhguesit e D4D-s dhe INPO-s kanë vërejtur së fshatin Talinoc (qendra e votimit 2513D) ka mungesë të materialit informues se si të votohet. Në Fshatin Dardani (qendra e votimit 2512D, vendvotimi 01), tre votuesve të parë nuk u janë vulosur fare fletëvotimet. Në fshatin Lloshkobare (qendra e votimit 2523D) janë ngatërruar kutitë e votimit të vendvotimit 01r me atë të 04d.