Deklaratë e përbashkët e organizatave të shoqërisë civile
14/01/2015Emrat e Organizatave: Iniciativa për Progres (INPO), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), Balkan Policy Institute ( IPOL), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Lëvizja FOL, Instituti për Studime të Avancuara GAP, Community Building Mitrovica (CBM), Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm ( KOSID), Emancipimi Civil ma Ndryshe, Forumi për Iniciativa Qytetare ( FIQ), Developing Together (DT), Asociacioni Rinor për të Drejtat e Njeriut (YAHR)
Prishtinë, 14 Janar 2015. Organizatat e Shoqërisë civile jemi të shqetësuar me veprimet e fundit të komunave të Shtërpcës dhe Graçanicës, të cilat po e cenojnë rendin ligjor dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Emërimi i kryetarit të Komunës së Shtërpcës edhe si kryetar i komunës paralele, të shpallur edhe në gazetën zyrtare të Republikës së Serbisë e sfidon rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Kosovës dhe si i tillë nënkupton se në territorin e Kosovës po aplikohen dy rende të ndryshme juridike.
Po ashtu, raportimi në media se web-faqja zyrtare e Komunës së Graçanicës po përdoret për të shpërndarë njoftime vetëm në gjuhën serbe, ku komuna e Graçanicës deklarohet si pjesë e Serbisë është veprim i kundërligjshëm dhe si i tillë do të duhej që të sanksionohej.
Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) që si ministri përgjegjëse për qeverisjen lokale të bëjë monitorimin e veprimeve të komunave dhe të mbikëqyrë ligjshmërinë e tyre. Po ashtu, në përputhje me nenin 64.1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, MAPL t’i rekomandojë Qeverisë së Republikës së Kosovës suspendimin e atyre kryetarëve të komunave veprimtaria e të cilëve bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
Shoqëria civile po ashtu dënon tendencat e hapura për qeverisje nëpër komunat e Kosovës nën diktatin e Beogradit, i cili e cenon modelin e demokracisë dhe bashkëjetesës ndëretnike të ndërtuar në Kosovë duke shkaktuar kështu vetëm tensione ndëretnike dhe duke i kontribuuar destabilizimit të Kosovës.