Degradim i ambientit dhe mosfunksionim i Administrates Komunale ne diten e pare te fushates
23/04/2012INPO dheD4D shprehin shqetësimin për mosfunksionimin e administratës së Komunës së Ferizajt në ditën e parë të fushatës për zgjedhje për Kryetar të qytetit. Drejtorët e drejtorive dhe shërbyesit civil pavarësisht fillimit të fushatës duhet të jenë në vendet e tyre të punës për t’i shërbyer qytetarëve, por një gjë e tillë duket se nuk po ndodhë.
Sipas monitoruesve tanë të gjithë drejtorët e drejtorive nuk kanë qenë në zyrat e tyre në oraret kur parti të ndryshme kanë paralajmëruar tubimet me elektoratin e tyre. Gjatë përcjelljes së takimeve publike është vërejtur edhe përdorimi i veturave zyrtare. INPO dheD4D këtë gjest e vlerësojnë si papërgjegjësi dhe mosrespektim të obligimeve kontraktuale qe kanë me institucionet publike për t’i shërbyer qytetarëve.
Gjithashtu INPO dhe D4D ka vëzhguar fillim e fushatës për Kryetar në Ferizaj që nga orët e vona të natës dhe ka vërejtur shkelje të shumta si nga partitë politike ashtu dhe nga vet KQZ-ja. Asnjë nga partitë politikë nuk kanë respektuar orarin e fillimit të fushatës duke u ngutur që materialet e tyre propaganduese t’i vendosin deri dhjetë orë para fillimit zyrtar të saj.
Në anën tjetër është për keqardhje veprimi i partive që afishet propaganduese i kanë vendosur në drunj dhe lisa të qytetit. Sipas rregullores komunale për Mbrojtje të Ambientit ky veprim është i ndaluar dhe përbën degradim të zonave të gjelbëruara. Me rregulloren komunale për mbrojte të ambientit ka rënë ndesh edhe KQZ-ja duke ngjitur në lisat në qendër të Ferizajt materialet informuese për mënyrën e votimit. Në këtë mënyrë KQZ-ja si organi më i lartë mbikëqyrës i zgjedhjeve jep një shembull të keq të mosrespektimit dhe shkeljes së kësaj rregulloreje.
Si për ironi pikërisht dje më 22 Prill në të gjithë botën është festuar dita ndërkombëtare e tokës, kjo na bënë të dyshojmë se të gjitha premtimet për plane urbanistike, për zgjerim të hapësirave të gjelbra në Ferizaj, për mirëmbajtje të Bifurkacionit, etj të cilat u shpalosën në tubimet e para të partive sot janë jo të sinqerta pasi qysh me fillimin e fushatës të gjitha partitë kanë degraduar dhe shëmtuar qendrën dhe zonat e gjelbëruara të Ferizajt.