Dëgjimi publik-“Hartimi i projekt-buxhetit për vitin 2014-2016

26/08/2013

Ferizaj, 26 Gusht 2013 -U mbajt debati publik i thirrur nga ana e kryetarit Aliu pas një cikli takimesh konsultative me qytetarët e Ferizajt për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2014-2016. Debatin e hapi i pari i komunës z.Agim Aliu duke thënë se po finalizohet një dokument mjaft i rëndësishëm. Ai tha se komuna e Ferizajt ka krijuar politika të tilla që kjo komunë të ecë drejt zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të mirëqenies sociale, duke theksuar se është ngritur edhe vlera e grantit qeveritar e cila është 15 % më e lartë për vitin 2013, që ka mundësuar edhe ngritjen e investimeve kapitale në këtë komunë.

Kryetari z.Agim Aliu ishte i shoqëruar nga Drejtori i Ekonomisë Financave dhe Buxhetit, z.Mustafë Granica si dhe Drejtori i Planifikimit,Zhvillimit dhe Rindërtimit z.Ardian Ferizi,të cilët iu përgjigjën pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve. Sipas kryetarit Aliu “Komuna e Ferizajt vazhdon të ketë performancë të mirë falë menaxhimit të mirë me buxhetin.

z.Faton Topalli, tha se Korniza Afatmesme Buxhetore ka mangësi të mëdha dhe mungesë të profesionalizmit. Sipas tij ky dokument përmban objektiva të paqarta që dëshmojnë për mungesë të aftësisë për planifikim dhe shfrytëzim të drejtë të parasë publike. Z. Topalli theksoi se kjo kornizë përmban objektiva aq të paqarta, siq është objektiva për zhvillim ekonomik në të gjitha fushat, sa që është e pamundur të matet suksesi i saj.

Nga ana tjetër, z.Flamur Istrefi theksoi edhe ndarjen e buxhetit për subvencione rreth 250 mijë euro, duke thënë se nuk janë specifikuar kategoritë që do të përfitojnë nga këto subvencione dhe se ka tendenca për manipulime.

Brengat e qytetarëve ishin nga më të ndryshmet, si në fushën e arsimit duke thënë se kjo fushë po lihet anash duke investuar vetëm ne infrastukturë, pastaj mjetet të cilat janë ndarë bujqësi dhe për raste sociale u quajtën të pakta dhe të pamjaftueshme për zhvillimin e këtyre sektorëve. Një qytetar i cili kishte kërkuar disa here të takohej me kryetarin e komunës z.Agim Aliu tha se përgjegjësi tek hyrja e kryetarit e kishte njoftuar se kryetari nuk është këtu dhe se “Çka vendosi unë e bënë edhe kryetari”.

Drejtori i Ekonomisë, z.Mustafë Grainca bëri apel që partitë opozitare të hartojnë buxhete alternative, nëse e vlerësojn buxhetin e propozuar nga komuna për vitet e ardhshme. Nga ana tjetër edhe Drejtori i Planifikimit z.Ardian Ferizi iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve dhe shpalosi disa projekte të cilat janë paraparë për vitin 2014, si ai i ndërtimit të sallës së sportit në oborrin e shkollës “Tefik Çanga”si dhe disa terene sportive nëpër fshatra.

INPO përmes disa reagimeve publike ka shprehur shqetësimin e saj se zhvillimi ekonomik i komunës nuk mund të mbështetet në Kornizën Afatmesme Buxhetore, ngase kjo kornizë është vetëm një planifikim i përgjithshëm i investimeve që komuna planifikon t’i bëjë ndër vite. Gjatë viteve të kaluara INPO ka vërejtur se parashikimet e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2012-2014 për vitin fiskal 2013 kanë pësuar ndryshime drrastike me buxhetin e vitit 2013.

Gjithashtu duke pasur parasysh se Korniza Afatmesme Buxhetore 2014-2016 është vetëm një dokument strategjik në të cilin mund të jepen zotime të mëdha, por që nuk ekziston bazë ligjore që sanksionon zbatimin e saj, dhe me përvojën e viteve të kaluara që dëshmon se Korniza Buxhetore nuk është implementuar nga komuna e Ferizajt ashtu siq ishte paraparë, INPO vlerëson se takimet konsultative për marrjen e mendimeve të qytetarëve për hartimin e kësaj Kornize Buxhetore, nuk kanë qenë takime për përfshirjen e qytetarëve në hartimin e buxhetit të komunës dhe nuk do të reflektojën nevojat dhe prioritetet e qytetarëve.

Prandaj, INPO rekomandon komunën e Ferizajt që në të ardhmen t’i kushtojë më shumë vëmendje procesit të përfshirjes së qytetarëve në hartimin e buxhetit të komunës, këtë proces ta filloj në kohën e duhur duke pasur parasysh afatet kohore të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe të adoptojë mekanizma më efikas për marrjen e mendimeve të qytetarëve për ndarjen e buxhetit.