Buxheti i Komunës së Ferizajt 2012
12/10/2011Asambleja Komunale
INPO si organizatë ka parë të nevojshme dhe qenësore të bëjë një analizë të shkurtër për buxhetin e propozuar nga ekzekutivi i Komunës së Ferizajt në krye me z.Bajrush Xhemailin për tri arsye të thjeshta të cilat do ti shohim më poshtë:
E para: sepse ky buxhet i propozuar ka kaluar pa debat të mirëfilltë dhe vëmendje jo profesionale nga të zgjedhurit e qytetarëve e që njëherit janë edhe përfaqësuesit legjitim të tyre në asamble.
E dyta: sepse Asambleja dështoi në kryerjen e mirëfilltë të obligimeve ligjore që burojnë nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale duke e degraduar kompetencën më të rëndësishme që ka ky institucion, pra miratimin e buxhetit.
E treta: sepse Ekzekutivi ka propozuar një buxhet që Asambleja ka pranuar dhe aprovuar menjëherë që për mendimin e INPO-së është konsumues dhe në parim nuk do të prodhoj zhvillim për qytetin tone.
Pra me pak fjalë Asambleja Komunale duke qenë nën kontrollin e ekzekutivit nuk e ka kryer rolin kryesorë që ka nga LVL-ja.
Buxheti
Gjatë analizimit INPO ka vënë re që ky buxhet ashtu sikur ato e viteve që lamë pas nuk do të krijoj zhvillimin e arsimit, mirëqenies sociale, shërbimeve publike dhe as ekonomisë në qytetin tonë. Përkundrazi nëse analizojmë ndarjen buxhetore shumë lehtë mund të konkludohet se ky buxhet nuk do të përmbushë misionin e komunës të cekur në faqen e katërt të këtij dokumenti
(Komuna është e obliguar dhe përgjegjëse për realizimin e kërkesave të qytetarëve në të gjitha fushat në mënyrë që të ndërtoj dhe ngris mirëqenien e tyre duke ofruar shërbime efikase,si dhe investime në infrastrukturën e përgjithshme) për realizimin e nevojave të qytetarëve të Komunës së Ferizajt por është thjeshtë një dokument që tregon dhe vërteton se si do të shpenzohen paratë e taksa paguesve pa dhënë sqarime se si këto investime do të zhvillojnë sektorët e lartë cekur.
Nëse krahasojmë buxhetin e vitit 2011 dhe atë të vitit 2012 shohim se Komuna e Ferizajt do të ketë një rritje për 934 194.84 euro e cila është e barabartë me 4.95% siç e përshkruan dokumenti zyrtarë. Nëse shikojmë ndarjen e kategorive atëherë është më se e qartë së ky buxhet nuk do të krijoj zhvillim, pagat dhe mëditjet përsëri do të jenë konsumuesi kryesorë i buxhetit të Komunës duke lejuar që zyrtarët komunal dhe përfituesit e mëditjeve të përfitojnë 745,336.86 euro më shumë sesa në vitin 2011. Komuna e Ferizajt ngarkon taksa paguesit për shërbime publike të cilat megjithëse kanë përmirësime nga vitet e kaluara përsëri janë larg standardeve që ne prosperojmë.
Komuna në aspektin numerik i ka ulur shërbimet siç thotë dokumenti 49.94% por nëse shikojmë mirë detajet e buxhetit i shohim këto shpenzime të shëndëruara në linja tjera dhe atëherë e kuptojmë pse kemi rritje për mbi 300 000 euro të mallrave dhe shërbimeve të cilat pësojnë rritje prej 25.01% e që në vlerën monetare është 352.661.00 euro.
Është e paqartë se si Kryetari i Komunës së Ferizajt së bashku me ekzekutivin kanë për qëllim zhvillimin e Komunës kur linjën e subvencioneve mjaft të vogël e kanë ulur për 27, 365.00 euro. Subvencioni është i vetmi mekanizëm aktual i drejt për drejtë që shfrytëzohet për përmirësimin e jetës së qytetarit mirëpo për vitin 2012 numri i përfituesve do të ulët sepse nuk do të ketë para të mjaftueshme. INPO shpreh shqetësimin së Komunës e Ferizajt që përbëhet nga 40 fshatra nuk i mjafton kjo shumë parash për subvencionim vetëm në sektorin e bujqësisë pa menduar për sektorët e tjerë.
Edhe pse Komuna e Ferizajt është treguar efikas në inkasimin e taksave në shumë prej 3.4 mil euro investimet kapitale për vitin 2012 janë rritur vetëm 82,926.00 euro ky është një argument shtesë që Komuna e Ferizajt ka prodhuar një buxhet të konsumit të fondeve publike por jo një fond që në interes ka zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës, rritjen e efikasitetit në gjithë shërbimet publike dhe ngritjen e nivelit të edukimit.
Luksi
INPO ngrit shqetësimin për luksin e tepërt që kanë akomoduar ekzekutivi duke filluar nga vetë kryetari. Komuna e Ferizajt do të shpenzojë vetëm për vitin 2012 39,250.00 për udhëtime zyrtare dhe mëditje, prej tyre 10,000.00 + 1.500 (mëditje) do ti shfrytëzojë për udhëtime jashtë vendit të cilat shumë rrallë bëhen publike dhe shumë rrallë dihet se cilat janë arsyet e vizitave. Kryetari i Komunës Bajrush Xhemaili ka pasur 7(konfirmo) udhëtime zyrtare jashtë vendit në vitin 2010 dhe ende nuk dihen përftimet e Komunës së Ferizajt nga këto udhëtime.
Zyrtarëve Komunal nuk i mjafton paga e tyre duke filluar prej Kryetarit, pagë e cila është 5 fish më e lart se standardi mesatar i një punëtori në Republikën e Kosovës. Ajo që është më e pakuptueshme janë dy linja:
1. linja për ushqim (jo takime zyrtare) kap shifrën 51,630.00 euro
2. linja për shërbime inteligjente dhe këshillëdhënëse që kap shifrën 25,850.00
Edhe pse ekzistojnë arsyetimet zyrtare për INPO-në këto linja janë të panevojshme dhe janë shpenzim i parave publike për luksin e zyrtarëve komunal sepse Kryetari i komunës ka këshilltarët e vetë në këtë rast Drejtorët dhe se Ekzekutivi ka në dispozicion një burokraci të tërë që pretendon të jetë profesionale.
Ndërsa sa i përket ushqimit si duket pagat që i përfiton kryetari dhe Drejtorët nuk janë të mjaftueshme pasi që qytetarët nga taksat e tyre duhet të paguajnë ushqimin për kryetarin edhe Drejtorët e Drejtorive. Duke mos lenë anash se Kryetari së bashku me drejtorët ka në dispozicion edhe 17,600 euro për dreka zyrtare. Në pjesën e luksit ne do fusim edhe automjetet të cilat parashihen të blihen për vitin 2012 me vlerë prej 70.000 euro kur dihet se për të njëjtën arsye në vitin 2011 janë shpenzuar 80.000 euro.
Ekonomia Lokale
Komuna e Ferizajt nuk do të bëjë përpjekje për zhvillim ekonomik lokal nëse bazohemi në dokumentin zyrtar për buxhetin e viti 2012. Në linjë për zhvillim ekonomik komuna do të subvencionojë 0 euro, dhe se e vetmja arsye pse kjo linjë është në shumën 4,931,453.0 euro është për shkak të linjave për paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, dhe investime kapitale që kryesisht janë investime (të vdekura) e që nuk gjenerojnë në mënyrë të drejt për drejtë zhvillim ekonomik.
Mirëqenia e qytetarëve
Nëse mbledhim gjithë subvencionet për kategorinë e Arsimit/Kulturës, Shëndetësisë , Bujqësisë dhe Shërbimeve Publike mbledhim një shumë prej 490 000 euro që krahas shumës totale të buxhetit është i papërfillshëm. Kjo shumë nuk do të jetë e mjaftueshme për ti ngritur shërbimet deri në atë nivel sa Komuna ta përmbush misionin e vet për më shumë shërbime efikase dhe ngritje të mirëqenies së qytetarëve.