Abstenimi i Kosovës në Ditën e Evropës

09/05/2012

Prishtinë, 9 Maj – Shteti më ri në Evropë, Republika e Kosovës, ka arsye të shumta për të mos e shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës duke pushuar. Një vend pa të ardhme të sigurtë, i izoluar dhe i getoizuar në çdo aspekt, me praninë e gjerë të përfaqësuesve politikë e ushtarakë të Bashkimit Evropian, por pa asnjë qasje në kontaktet edhe më elementare me strukturat e BE-së, me integritet dhe sovranitet të cenuar në ¼ e territorit të vet, pa të drejtë për të vepruar për sundimin e plotë të shtetësisë, me zyrtarë të korruptuar, me shkelje të vazhdueshme të ligjit, pa vepruar gati asnjë herë për ndëshkimin e fajtorëve për këtë gjendje të rëndë, në mungesë të theksuar për perspektivën e shtetit me popullatën më të re në Evropë, me pensionistë që nuk i mbijetojnë dot as nevojës elementare për sigurimin e barnave e të bukës së gojës, Kosova vazhdon të jetë një sui generis i shëmtuar dhe një vend i injoruar nga vetvetja dhe të tjerët dhe i ndëshkuar krejt padrejtësisht në të sotmen dhe në të ardhmen e saj.
Për të gjitha këto arsye, Iniciativa për Progres vlerëson se pikërisht sot Kosova do të duhej ta jepte shembullin e saj duke mos u vonuar edhe më shumë drejt integrimit në familjen e madhe evropiane. Hapat konkretë të një shteti për t’u anëtarësuar në BE arrihen vetëm duke punuar dhe me përpjeke konkrete për afrimin e standardeve në të gjitha fushat.
Përderisa të gjitha vendet evropiane 9 Majin e shënojnë me prezencë të të rinjve nëpër shkolla, ku ata një nga orët mësimore ia kushtojnë pikërisht historikut të kësaj date të rëndësishme të vlerave e të standardeve të qytetarisë evropiane, në Kosovë kjo ditë shënohet me pushim, i cili me sa duket nënkupton abstenimin e qëllimshëm institucional nga identifikimi i drejtpërdrejtë me këtë ditë të shënuar. Ashtu siç që prej shumë vitesh vazhdon të jetë krejtësisht jashtë rrjedhave normale të zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore e shoqërore evropiane, Kosova edhe në ditën e familjes së saj të madhe është jo vetëm “anëtari” i përbuzur dhe i injoruar nga të tjerët, por edhe “anëtari” i cili e përjashton vetveten nga qenia i barabartë dhe i dinjitetshëm me të tjerët.

Janë të paktën 9 arsye themelore, e të cilat jo domosdoshmërisht janë vetëm 9 por për hir të simbolikës që bartë ky numër, për shkak të të cilave Kosova nuk do të duhej ta shënonte duke pushuar dhe abstenuar, por duke punuar për 9 Majin – Ditën e Evropës, dhe duke u identifikuar drejtpërsëdrejti me pamjen reale të mungesës së perspektivës së saj të sotme dhe të nesërme Evropiane:
1. Kosova mbetet edhe më tutje shteti më i izoluar dhe më i varfër në Evropë pa liberalizim të vizave dhe me mbi 40 % të popullatës të pa punë;
2. 5 shtete të Bashkimi Evropian nuk na njohin si shtet dhe procesi i anëtarësimit në BE ende nuk ka filluar;
3. Shprehjeve “Sundim i Ligjit”, “Luftim i Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” më nuk ju besojnë as politikanët dhe vetë BE-ja në Kosovë;
4. Shprehja e lirë, liria e mediave, transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve dhe zyrtarëve publik është nën nivelin dhe nën standardin evropian;
5. Arsimi në Kosovë nuk përgatitë kuadro konkurrues për tregun evropian të punës;
6. Shëndetësia në Kosovë nuk i plotëson kriteret evropiane;
7. Ekonomia kosovare nuk është konkurruese me ekonominë evropiane;
8. Rreth 90% e të rinjve kosovar nuk kanë udhëtuar kurrë në Evropë; dhe
9. Evropa nuk e feston 9 Majin – Ditën e Evropës duke pushuar, por duke punuar.

INPO i rikujton të gjitha institucioneve vendore se përmes kësaj qasjeje janë duke manifestuar mungesë të theksuar serioziteti, mungesë vizioni për proceset integruese të vendit në BE dhe krijim të një atmosfere inferiore ndaj punës, duke i ushqyer njerëzit me iluzionin se pushimi e jo puna, se mungesa e veprimit e jo veprimi dhe se indiferenca dhe vetëkënaqësia e jo përkushtimi dhe angazhimi për identifikimin e kapaciteteve dhe të vlerave të vërteta evropiane, me të cilat duhet të identifikohet Kosova, janë orientimi dhe përcaktimi për të cilin duhet punuar dhe duhet vepruar shumë.