A po tregohen të pafuqishëm kryetarët e posazgjedhur të Komunave?

06/09/2012

Ferizaj 06 Shtator 2012. Qeverisja e mirë nënkupton përgjegjësi, transparencë dhe zbatim të obligimeve ligjore nga përfaqësuesit e zgjedhur para qytetarëve. Duke pasur parasysh këto parime të cilat theksohen edhe në Kartën Evropiane për Qeverisjen Lokale, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (LVL). Ky ligj përveq që i’u njeh kompetenca të gjëra komunave të Kosovës, në veqanti e fuqizon pozitën e kryetarit të Komunës, ku në mesin e kompetencave të kryetarit thekson se emërimi i drejtorëve komunal është në kompetencën e plotë të kryetarit (LVL, neni 58) dhe përbën një nga fuqitë kryesore të kryetarit të komunës.
Vizioni i secilit në Kosovë është Bashkimi Evropian dhe kështu ishte edhe slogani i kandidatit të PDK-së për kryetarin e komunës së Ferizajt, ‘Për Ferizajn Evropian’. Pasi fitoi zgjedhjet, në seancën inauguruese të 08 Qershrorit 2012, Kryetari i Ferizajt Agim Aliu u betua para anëtarëve të Kuvendit Komunal se do t’i ushtroj kompetencat e tij si Kryetar i komunës në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i sigurojë kushtet për një jetë të qetë për të gjithë. Mirëpo kjo është vetëm teoria, në praktik Kryetari Aliu e filloi mandatin e tij me mospërmbushje të obligimeve ligjore.

Kryetari i posazgjedhur u ballafaqua me sfidën e formimit të qeverisë së re lokale, përkatësisht funksionalizimin e kabinetit të tij qeverisës. Siq duket problemet e brendshme partiake e kushtëzuan dhe e kufizuan vizionin dhe veprimtarinë e tij dhe e zhytën qysh në fillim të mandatit në papërgjegjësi. Madje kryetari Aliu edhe pas 3 muajve të qeverisjes së tij nuk arriti që të formoj qeverinë e re lokale, pasi që nuk e ka bërë akoma publike konfirmimin e mandatit të drejtorëve të drejtorive komunale. Në të njejtën situatë është edhe komuna e Kaçanikut, edhe kryetari Besim Ilazi po ballafaqohet me problemin e konfirmimit të mandatit të drejtorëve komunal apo shkarkimit të tyre.

INPO shpreh shqetësimin për moskonfirmimin e mandatit të drejtorëve nga ana e kryetarit të komunës së Ferizajt dhe të Kaçanikut. INPO vlerëson se ky veprim është papërgjegjësi ndaj qytetarëve dhe mospërmbushje e obligimeve ligjore. Moskonfirmimi i mandatit të drejtorëve komunal po e sfidon rënd ligjshmërin për funskionimin e komunave të Kosovës, njëherit paralizon punën e drejtorive komunale dhe dëmton imazhin e një kryetari të pavarur që zgjidhet drejtëpërdrejtë nga vota e qytetarëve.

INPO i përkujton kryetarit të komunës së Ferizajt dhe të Kaçanikut se në bazë të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale çdo drejtorat komunal menaxhohet nga drejtori i cili emërohet dhe shkarkohet nga kryetari (Neni 62.2). Për më tepër statuti i komunës së Ferizajt në nenin 67.2 përcakton se çdo drejtori komunale menaxhohet nga drejtori, i cili emërohet nga kryetari për të njejtin mandat dhe shkarkohet nga kryetari. Që do të thotë se me përfundimin e mandatit të ish-kryetarit Bajrush Xhemaili ka përfunduar edhe mandati i drejtorëve të drejtorive komunale dhe se kryetari i zgjedhur Agim Aliu është i ngarkuar me përgjegjësi ligjore që të shkarkoj drejtorët e drejtorive komunale dhe të rizgjedh drejtorët e rinjë, ose të konfirmoj mandatin e drejtorëve aktual, t’u vazhdoj kontratat e punës dhe të normalizoj funksionalizmin e komunës parim ky që vlenë edhe për kryetarin e komunës së Kaçanikut z. Besim Ilazi.