Pas ankesës së INPO-s, Komunës së Shtërpcës i shqiptohet gjobë në vlerë 3,000 euro

09/03/2023

Prishtinë, 9 mars 2023 – Pas ankesës së INPO-s, Agjencia  për Informim dhe Privatësi ka gjobitur Komunën e Shtërpcës me 3,000 euro gjobë për kufizimin e qasjes në dokumente publike. INPO më 23.12.2022 në drejtim të Komunës së Shtërpcës ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike për aktivitetin e prokurimit me titull: “Shfrytzimi i fotokopjeve dhe printerve me qira– Niveli lokal”, me numër të prokurimit 2016- 18-6489-2-1-1.

Meqë Komuna e Shtërpcës ka kufizuar qasjen në dokumente publike, përkatësisht nuk ka ofruar qasje në të gjitha dokumentet e kërkuara, INPO më 17.01.2023 ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Ndërsa sot më 09.03.2023, për shkak të kufizimit të qasjes në dokumente publike, Agjencia për Informim dhe Privatësi, Komunës së Shtërpcës i ka shqiptuar gjobë në vlerë 3,000 euro.

INPO i bënë thirrje Kryetarit të Komunës së Shtërpcës që të marrë masa të menjëhershme ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës për kufizim të qasjes në dokumente publike si dhe gjithashtu të merren të gjitha masat në drejtim të rritjes së transparencës në ofrimin e qasjes në dokumente publike, në mënyrë që në të ardhmen të shmangen situata ku për shkak të mos respektimit të detyrimeve ligjore me para të taksapaguesve të paguhen gjoba.

INPO duke falënderuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi për bashkëpunimin, mbetet e përkushtuar në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.