Zyrtarët e INPO-së takohen me u.d të Prokurorit publik të Komunës së Ferizajt.
14/09/2011Ferizaj, 14 shtator 2011-Zyrtarët e INPO-së realizuan sot një takim me u.d. të Kryeprokurorit Publik të komunës së Ferizajt, z. Shukri Jasharin, me ç’rast u diskutua rreth punës së prokurorisë, problemet që përballen ata në kryerjen e detyrës, si dhe informim rreth disa lëndëve të ngritura, e që janë me rëndësi të veçante rreth luftës kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike.
Jehona Kapllani, zyrtare e INPO-së, kërkoi nga kryeprokurori informacione rreth punës së prokurorisë si dhe problemet që përballet ky institucion. Sipas z. Shukri Jashari: “Prokuroria komunale e Ferizajt edhe pse përballet me vështirësi të mëdha sa i përket stafit të pamjaftueshëm, në kohë dhe numër rekord është duke proceduar lëndët që i vijnë këtij institucioni”. Stafi i pamjaftueshëm dhe disa shkaqe tjera po e pamundësojnë prokurorisë procedimin e shpejtë të lëndëve. Ndër të tjera zyrtarja Kapllani ngriti shqetësimin rreth procedimit të lëndëve të veprave të korrupsionit dhe krimeve ekonomike. Kryeprokurori shpjegoi se gjatë këtij viti është rritur numri i lëndëve të proceduar nga prokuroria rreth veprave të korrupsionit dhe krimeve ekonomike. Kërkesa e OJQ-së INPO është që lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike t’u jepet prioritet në procedim dhe investigim, në mënyrë që suksesi kundër korrupsionit të jetë më i madh.
Rezultat i këtij takimi është pajtueshmëria e zyrtarëve të INPO-së dhe u.d. i Kryeprokurorit, në idenë që lëndët e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike t’u jepet prioritet, si hap drejt luftimit të drejtë dhe të shpejtë të këtyre dukurive negative të shoqërisë.