Rregullorja për Transparencë e Komunës së Prishtinës jo-kushtetuese

18/01/2012

Prishtinë, 18 janar 2012 – Iniciativa për Progres (INPO) dje ka pranuar Raportin me Rekomandim nga institucioni i Avokatit të Popullit numër A. 223/2011 lidhur me shkeljet e pretenduara ligjore dhe kushtetuese të akteve dhe vendimeve të Komunës së Prishtinës. Organizata INPO kishte ngritur këtë lëndë tek Avokati i Popullit pas pothuajse një vit injorimi të kërkesave dhe të drejtës së saj për pjesëmarrje në mbledhjet e Komitetit për Politikë dhe Financa nga ana e Komunës së Prishtinës.

INPO rikujton se në procesin e monitorimit të disa komunave (Prishtinë, Ferizaj, Hani i Elezit, Shtime dhe Kaçanik) ka hasur në praktika kundër-ligjore të funksionimit, papërgjegjësi në punë, mungesë transparence e llogaridhënëse dhe injorim të qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Duke e pasur shumë të vështirë bashkëpunimin dhe kryerjen e detyrave të monitorimit në një ambient të tillë INPO ka nisë procedurat për përgjegjësi ligjore sipas ligjeve në fuqi në Kosovë. Kështu ka përgatitur disa lëndë dhe ka inicuar procedurat pranë institucionit të Avokatit të Popullit, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe Prokurorisë Publike.
Raporti me Rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit është përgjigja e parë të cilën INPO e ka pranuar lidhur me rastet të cilat i ka inicuar pranë institucioneve kompetente. INPO çmon lartë profesionalizmin e institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me qëndrimin të cilin e ka mbajtur në këtë rast që është një qëndrim i drejtë, konform ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës së Kosovës.
Raporti me Rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit vjen në disa përfundime shqetësuese të cilat tregojnë probleme serioze ligjore dhe profesionale në funksionimin e Komunës së Prishtinës. Raporti e vlerëson si kundër-kushtetues dhe kundër-ligjor nenin 5 të Rregullores për Transparencë të Komunës së Prishtinës, tregon për injorimin e plotë nga Komuna e Prishtinës të Avokatit të Popullit, fton Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të ushtrojë kompetencat e saj të mbikëqyrjes ndaj Komunës së Prishtinës dhe konstaton veprimin anti-ligjor të Kryesuesit të Kuvendit të Komunës për mbyllje të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Gjatë procesit të trajtimit dhe të hetimit të lëndës së paraqitur nga INPO institucioni i Avokatit të Popullit është injoruar tërësisht nga Komuna e Prishtinës dhe zyra e Kryetarit Isa Mustafa.
Avokati i Popullit sipas raportit, i është drejtuar Kryetarit të Komunës së Prishtinës z. Isa Mustafa me datë 12 Korrik 2011 dhe me datë 26 Shtator 2011 ku i kërkon informacione për arsyet e përjashtimit të opinionit nga pjesëmarrja në mbledhjet e Komitetit për Politikë dhe Financa. Edhe pse nën detyrën ligjore të bashkëpunoj dhe të përgjigjet në kërkesën e Avokatit të Popullit, institucioni i Kryetarit të Komunës asnjëherë nuk është përgjigjur.

Raporti i Avokatit të Popullit ka ardhur gjithashtu në përfundim se neni 5 i Rregullores për Transparencë i Komunës së Prishtinës, me të cilin rregullohet transparenca dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendim-marrje në Komunën e Prishtinës, më konkretisht neni që rregullon pjesëmarrjen në komitete është kundër kushtetues. Kjo pasi ndalimi që u bëhet qytetarëve përmes këtij neni është në kundërshtim me nenin 124 , paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili nen “inkurajon pjesëmarrjen aktive të të gjithë qytetarëve në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale, duke u mbështetur në parimet e qeverisjes së mirë dhe transparencës”.
Për më tepër, në raportin e Avokatit të Popullit evidentohet praktika shumë e keqe e Komunës së Prishtinës për injorimin e kërkesave të ndryshme nga INPO. Kjo është një praktikë kundër ligjore e cila është krijuar në Prishtinë e sipas së cilës shumica e kërkesave për qasje në informacione zyrtare; përgjigje në ankesa; dhe kërkesa tjera injorohen tërësisht dhe nuk kthehen përgjigje zyrtare.
Përfundimet e Avokatit të Popullit kërkojnë një sërë masash dhe ndër të tjera ftojnë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të kërkojë nga Komuna e Prishtinës të shfuqizojnë nenin 5.1 të Rregullores Komunale për Transparencë, kjo në bazë të autoritetit mbikëqyrës të cilin e kanë sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (neni 82), dhe në rast mos-bashkëpunimi nga Komuna e Prishtinës të fillojnë procedurat gjyqësore pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.