Reagim Publik ndaj Drejtoreshës për Financa të Komunës së Prishtinës, Valbona Makolli

18/09/2024

Prishtinë, 18 shtator 2024 – Iniciativa për Progres (INPO) reagon kundër gjuhës së ashpër etiketuese dhe joprofesionale të Drejtoreshës së Financave të Komunës së Prishtinës, Valbona Makolli, e cila në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës ka pretenduar se INPO ka lansuar informata të pavërteta rreth diskutimeve të organizuara për projektbuxhetin e vitit 2025.

Në përgjigje të kritikave të anëtarëve të Kuvendit të Prishtinës, të cilët theksuan se buxheti ishte dorëzuar me vonesë, duke pamundësuar mbajtjen e takimeve me qytetarë, Drejtoresha e Financave është arsyetuar me theksimet si në vijim, citojmë: “Për dëshmi të asaj INPO-s, a cila ke ajo organizatë që merret me k’si far jo të vërteta, të hyj në ueb-faqen e komunës dhe i ka të gjitha dëgjimet buxhetore për secilin vit buxhetor…”

INPO konsideron se kjo mënyrë e komunikimit, nuk i shërben përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies, por krijon një klimë mosbesimi dhe minimizimi të rolit të shoqërisë civile si aktorë kyç në fuqizimin e demokracisë lokale. Akuzat e paqëndrueshme të Drejtoreshës ndaj INPO-s si një organizatë e cila angazhohet aktivisht për përmirësimin e qeverisjes dhe angazhimin e qytetarëve në demokracinë lokale janë të papranueshme dhe dëmtojnë përpjekjet për një dialog të shëndetshëm dhe konstruktiv.

Me qëllim të sqarimit të opinionit publik, INPO nënvizon se deklarata e drejtoreshës Makolli është një pasqyrim i tensioneve dhe mungesës së njohurive të saj për të kuptuar përmbajtjen e normave juridike që promovojnë transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.  Akuzat e saj janë të pavërteta, siç argumentohet nga fakti se reagimi i INPO-s, i datës 17.09.2024, asnjëherë nuk ka pretenduar që ekzekutivi i komunës nuk ka mbajtur takime me qytetarët për projektbuxhetin. Reagimi i jonë i referohet pasojave të aprovimit të buxhetit përmes një seance të jashtëzakonshme, pa ndonjë arsye bindëse që të justifikonte mosmbajtjen e seancës të rregullt. INPO ka theksuar se ky proces do të duhej të përfshinte diskutimet buxhetore nga ana e Kuvendit të Komunës, pas pranimit të projektbuxhetit nga kryetari, sipas nenit 61, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Për ta sqaruar këtë, në vijim citojmë përmbajtjen e këtyre dispozitave ligjore:

  • Neni 61.1: Pas miratimit të propozim-buxhetit Komunal nga Kryetari i Komunës, Kryetari i Komunës, deri me 1 Shtator të vitit përkatës fiskal, duhet t’ia dorëzojë këto dokumente Kuvendit Komunal
  • Neni 61.2: Pas pranimit të propozim-buxhetit, Kuvendi Komunal do të mbajë dëgjime publike në përputhje me aktet a aplikueshme ligjore të komunës.

Po ashtu, neni 31 i Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Administratë të Hapur përcakton që “Komuna është e obliguar të mbajë dëgjime buxhetore me qytetarë sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike”.

Lidhur me këtë, INPO e vlerëson të rëndësishme respektimin e standardeve minimale të konsultimit publik, duke shtuar që në mesin e akteve nga neni 22 të këtij Udhëzimi Administrativ, vetëm në rastin e buxhetit, Kuvendi është i autorizuar të zhvillojë diskutime shtesë përmes procesit të konsultimit sipas dispozitave të lartcekura.

Prandaj, para se një person zyrtar të jap deklarata të paverifikuara, do të ishte e dobishme paraprakisht të njoftohet me normativën juridike për transparencë, në mënyrë që të ruhet reputacioni i institucionit të Kryeqytetit dhe qytetarët të mos keqinformohen.

INPO kërkon publikisht që drejtoresha Makolli të tërheqë deklarimin e saj dhe të kërkojë falje ndaj organizatës sonë, në mënyrë që të ruhet integriteti i komunikimit institucional.

Krejt në fund, duhet shtuar se është thelbësore që funksionarët publikë të veprojnë me transparencë dhe llogaridhënie të plotë, duke respektuar standardet ligjore. Në këtë kontekst, Rikujtojmë se Drejtoresha e Financave është duke e ushtruar funksionin e Zyrtarit Kryesor Financiar në Komunë, duke nënshkruar njëkohësisht dokumente zyrtare pa autorizim ligjor, siç është Deklarata e Nevojave dhe Përcaktimi i Disponueshmërisë së Fondeve në procedurat e prokurimit publik.