Reagim kundrejt konferences se sotme te Komunes se Prishtines

05/03/2012

Reagim për Media:

“Është shqetësuese se shoqëria civile është subjekt i presioneve të mëdha politike dhe itimidimit nëse aktivitetet e saj nuk korrespondojnë me pikëpamjet e autoriteteve” – Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian (2011)

Prishtinë, 05 mars 2012 — Organizata INPO shprehë indinjatën e saj të thellë në lidhje me deklarimet e ditës së sotme të zyrtarëve komunal në lidhje me raportin e publikuar nga INPO për punën dhe efikasitetin e Komunës së Prishtinës gjatë vitit 2011.

INPO do të elaborojë një nga një çështjet e ngritura nga Komuna e Prishtinës gjatë konferencës së sotme. Mirëpo më parë duhet të ndalemi në gjuhën që zyrtarët komunal kanë përdorur gjatë konferencës së sotme, e cila nuk përkon aspak me zyrtarë të lartë publik të cilët udhëheqin me Kryeqytetin e Kosovës. Është për të ardhur keq që zyrtarët komunal në vend se të japin llogari për premtimet e parealizuara dhe dështimet e vazhdueshme në sigurimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, përdorin gjuhë denigruese dhe fyese për organizatën duke vënë në dyshim profesionalizmin dhe saktësinë e të gjeturave të raportit. Reagimi i Komunës së Prishtinës më shumë ishte i përqendruar në aspektet teknike të raportit të monitorimit sesa në aspekte përmbajtësore dhe argumente objektive. Organizata INPO edhe për kundër mos pranimit të zyrtarëve komunalë për tu intervistuar apo takuar, në veçanti mos gatishmërinë e z. Valbon Krasniqi për të ofruar qasje në dikasterin që ai udhëheqë dhe për të marrë pjesë në debatet që organizata INPO ka organizuar për shëndetësinë, ka arritur të nxjerrë të dhëna të cilat tregojnë për mos përmbushje të objektivave dhe prioriteteve të paracaktuara nga vetë Komuna e Prishtinës.

1. Komentet e Komunës në lidhje me aspektet teknike të Raportit

Përderisa Komuna e Prishtinës na jepë sygjerime se si të shkruajmë raportet dhe bënë komente në aspekte të tilla teknike si volumi i raportit dhe gabimet tjera gjuhësore që i takojnë një lektori, më mirë do të ishte të ofronte përgjigje në pyetjet substanciale dhe në të gjeturat objektive të raportit. Konkretisht, nga konferenca e sotme Komuna nuk ofroi përgjigje se:

i. Si është e mundur që Komuna të shpenzojë 4 (katër) herë më shumë buxhet për karburante të veturave zyrtare sesa për krijimin e vendeve të reja të punës?
ii. Si është e mundur që Komuna e Prishtinës nga viti i 2013, sipas planifikimit të vetë buxhetor, të ketë ulje të të hyrave vetanake financiare?
iii. Pse administrata komunale që funksionon me 60% të stafit me shkollim të mesëm ripërtërihet me vetëm 3.5% në vit?
iv. Si është e mundur që me gjithë kaosin urbanistik të Komunës për një vit të miratohet vetëm një plan rregullues urban; kurse procesi i legalizimit është pranë dështimit?
v. Pse Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur zyrtarisht në mbi 10 kërkesa zyrtare me shkrim të organizatës INPO dhe pse nuk i është përgjigjur as edhe njëherë Institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me Rregulloren për Transparencë?
vi. Si është e mundur që Komuna e Prishtinës kërkon të ketë buxhet edhe më të madh kurse suficiti buxhetor gjatë vitit 2011 ka qenë 17 milion €?

2. Monitoruesit, metodologjia e monitorimit dhe donatorët

Në vend se të merret me aspektet përmbajtësore të raportit të monitorimit që organizata INPO ka publikuar Komuna e Prishtinës si në të kaluarën edhe sot vë në dyshim profesionalizmin e monitoruesve të organizatës INPO duke ngrehur pyetje retorike të tilla si “Nga kush janë të certifikuar monitoruesit tuaj?”. Organizata INPO monitoron Komunën e Prishtinës në mënyrë sistematike nga një staf profesional të gjithë prej të cilëve janë të diplomuar në universitetet nacionale për fushat relevante dhe të trajnuar brenda dhe jashtë vendit mbi metodologjitë më të avancuara të monitorimit dhe hulumtimit shkencor. Për më tutje, INPO ka dokumente të veçanta mbi metodologjinë e monitorimit të bazuar në indikatorë të matshëm të cilën e përdorë dhe për të cilën ka kërkuar të takohet me zyrtarë komunalë për të diskutuar mirëpo asnjëherë nuk është pranuar. Në lidhje me këtë të fundit, organizata INPO posedon kërkesa zyrtare të protokolluara nga vetë Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës poashtu gjatë konferencës së sotme ka shprehur dyshime në lidhje me financimin e organizatës INPO madje duke kërcënuar se do të komunikojnë dhe se do të ndikojnë tek donatorët e organizatës për të mos financuar aktivitetet e kësaj të fundit. Një deklarim i tillë është në përputhje negative me të gjeturat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian i cili për vitin e kaluar kishte potencuar se “është shqetësuese se shoqëria civile është subjekt i presioneve të mëdha politike dhe itimidimit nëse aktivitetet e saj nuk korrespondojnë me pikëpamjet e autoriteteve”. Të gjitha raportet financiare të organizatës INPO janë transparente dhe të qasshme në webfaqe siç janë dhe të gjithë donatorët e organizatës INPO. Për më tutje, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KFOS/SOROS) i cili mbështet projektin e monitorimit dhe promovimit të transparencës në Komunën e Prishtinës realizon tashmë 8 vite projektin Capacity Development Facility me të cilin ndihmon zhvillimin e kapaciteteve të administratës në nivel qendror dhe komunal. Deri më tani nga ky projekt janë mbështetur të gjitha ministritë si dhe Komuna e Prishtinës, Pejës, Junikut, etj.